POLITIKË

I riu në protestën e 108-të: Jemi kundër regjimit të Ramës…

Në protestën e 108-të kundër qeverisë Rama, një i ri protestues e cilësoi betejën e qytetarëve si një përballje për të ardhmen e Shqipërisë dhe jo si një luftë për pushtet apo karrige politike.

Në fjalën e tij, ai kërkoi lirimin e të rinjve të arrestuar gjatë protestave, ndërsa përshëndeti vendimin e gjykatës për lënien në “arrest shtëpie” të Erion Veliajt, duke e interpretuar si rezultat të presionit qytetar dhe si një hap drejt institucioneve më të pavarura.

Protestuesi e lidhi protestën me krizën e emigracionit dhe mungesën e perspektivës për të rinjtë, duke deklaruar se që prej vitit 2021 Shqipëria ka rreth 50 mijë qytetarë më pak. Sipas tij, problemi nuk është vetëm korrupsioni dhe keqqeverisja, por edhe dëmtimi i edukimit, kulturës dhe formimit të brezit të ri.

Ai akuzoi mediat dhe rrjetet sociale se po promovojnë antivlera, ndërsa sistemi synon të krijojë qytetarë më të lehtë për t’u manipuluar.

Duke e cilësuar këtë si një nga betejat kryesore të protestës, ai theksoi se ndryshimi nuk duhet të kufizohet te zëvendësimi i një politikani me një tjetër. “Nuk po luftojmë për të ndërruar karriget, po luftojmë që të ndërrohet jeta”, deklaroi ai, duke bërë thirrje për vijimin e protestës deri në realizimin e kauzës së saj.

Fjala e tij:

I bëj thirrje policisë të lirojë të gjithë djemtë dhe vajzat që janë arrestuar pa të drejtë, vetëm pse po protestojnë. Fillimisht, dua të përshëndes vendimin e gjykatës, sot për lënien në shtëpi, pa arrest me burg të Erion Veliajt. Kjo tregon se kjo protestë po bën pikërisht një nga qëllimet e saj më të rëndësishme. Përmes presionit qytetar, të bëjë të mundur që institucionet ligjzbatuese të dalin nga pushteti i Erion Veliajt që i kishte mbytur. Shpresoj që të jetë një gjë e institucioneve ligjzbatuese të bëjnë detyrën e tyre pa ndikim, për Belind Këlliçin dhe për çdo qytetar që ka kauzë të vërtetë. Doja të kthehesha sot për një temë shumë të rëndësishme, për të ardhmen e Shqipërisë, për brezat që vijnë, për ata fëmijë që nisin dje vitin e ri shkollor. Nëpër shkolla hyjnë disa fëmijë me çanta në shtëpi, me libra në duar dhe me ëndrra në kokë.

Ata shkuan me dëshirë e me shpresë drejt dijes, që nesër të ndërtojnë jetën e tyre këtu. Por nuk e dinë akoma realitetin që ndodhet në Shqipëria sot. Ne si Shqipëri duhet të pyesim veten: Çfarë vendi po lëmë për ata? Sepse një komb nuk shkatërrohet vetëm kur i vjedhin paratë, po shkatërrohet kur i prishin mendjen. Shoqëria mund të ngrihet pas një skandali korruptiv, por kur shoqëria humbet mendjen dhe një brez i tërë humbet, shqiptarët janë shushur për vite me radhë, një e ardhme e vdekur. Pse shqiptari ka lindur për të vuajtur? Sot një i ri lind me mungesa, rritet me sakrifica dhe në fund e shikon që në këtë vend nuk ka më perspektivë dhe ikën. Sot Shqipëria, nga viti 2021 dhe deri më sot, ka 50 mijë qytetarë më pak, 50 mijë mendje më pak, 50 mijë arsye më shumë për të pyetur: Ku po shkojmë?

Pasi një fëmijë e çon një fëmijë shqiptar, duhet të mësojë që ëndrra e tij fillon në Shqipëri dhe përfundon diku në emigracion. Pse ky sistem, që pasurinë e ka për korrupsionin dhe jo për zhvillimin, i kushtëzon fëmijët shqiptarë jo vetëm t’i lërë pa kulturë. Pse një fëmijë shqiptar duhet të rritet në një vend ku nuk ushqehet me kulturë, por ushqehet vetëm me degjenerim? Kultura e fëmijëve sot shkatërrohet nga mediat e shitura që prodhojnë vetëm emisione skandaloze, e që nuk promovojnë asnjë vlerë përveç denigrimit dhe shthurjes. Kultura dhe edukata e fëmijëve tanë sot ndikohet nga parazitët në rrjetet sociale, që promovojnë vetëm degjenerim në sytë e fëmijëve tanë. Këta po na mbushin mendjen e fëmijëve tanë me aq pisllëk, saqë të mos u bëjë më përshtypje asnjë gjë e keqe. Po ushqehet turpi si sukses, po mësohen të admirojnë arrogancën dhe jo urtësinë, të kërkojnë famën dhe jo vlerat, të kërkojnë rrugë të shkurtra dhe jo punën. Shpërbërja po ushqehet si moral, turpi po zhduket dhe injoranca po bëhet famë.

Ky është rreziku që po kërcënon rininë shqiptare sot dhe këto programe janë pjesë e një sistemi që funksionon për të poluar trurin që prodhon ky sistem korruptiv. Për ta bërë shqiptarin më të dobët para sistemit, sepse një njeri pa dije mund të mashtrohet më lehtë. Një njeri pa kulturë mund të manipulohet më lehtë. Një njeri pa karakter mund të blihet më lehtë. Dhe kur syri i një të riu mësohet të shohë çdo të keqe si normale, padrejtësia nuk ka më nevojë të fshihet, por ecën ballëlartë në mes të ditës, futet në shtëpitë tona, futet në shkolla, futet në kokën e fëmijëve tanë. E në këtë protestë, ne e kemi për të ardhmen tonë, për brezat që do të vijnë.

T’ju sigurojmë atyre një jetë në një vend të denjë, e jo të rriten të ndikuar nga terapia hormonale apo të monitorohen gjatë gjithë kohës nga kompani që zoti e di çfarë historie kanë. Kjo është një nga betejat më të mëdha që ka kjo protestë. Nuk është betejë për karrige, nuk është betejë për një emër, nuk është betejë për rrotacion, është betejë për atë që u mbetet fëmijëve tanë. Sepse mund të ndryshojnë fytyrat e atij që qeveris vendin, por fëmija vazhdon të rritet në të njëjtat kushte. E ne këtu nuk po luftojmë për të ndërruar karriget, po luftojmë që të ndërrohet jeta. Nuk duam të ndërrojmë një emër me një emër tjetër, por një realitet me një realitet tjetër. Prandaj të gjithë së bashku ta çojmë deri në fund këtë kauzë që u shërben vetëm shqiptarëve dhe jo politikës, sepse Shqipëria është e shqiptarëve dhe jo e kusarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button