Igli Tare nuk ndalet te Milani, transferon mesfushorin e njohur italian

Samuele Ricci është praktikisht futbollisti më i ri i Milanit. Klubi kuqezi ka arritur marrëveshje me Torinon për transferimin e mesfushorit 23-vjeçar, duke ofruar një shumë totale prej 25 milionë eurosh, përfshirë bonuset. Në ditët në vijim pritet që lojtari të kryejë vizitat mjekësore për t’u zyrtarizuar si blerja e parë e Milanit për sezonin e ri.
Mesfushori ka qenë protagonist edhe në përfaqësuesen italiane, nën drejtimin e trajnerit Luciano Spalletti, dhe pritet të jetë organizatori i ri në mesfushën e Milanit, një repart që do të pësojë ndryshime të thella këtë verë.
Pas përfundimit të Botërorit për Klube, Milan do të zyrtarizojë gjithashtu edhe transferimin e Luka Modric nga Real Madrid, ndërsa drejtori sportiv Igli Tare po kërkon një tjetër mesfushor me karakteristika më fizike, ku objektivi kryesor mbetet Ardon Jashari i Club Brugge – edhe pse belgjianët nuk heqin dorë nga kërkesa prej 35 milionë eurosh.
Ricci vetë ka shtyrë për kalimin te Milani, duke bindur Torinon të ulë kërkesat nga 30 në 25 milionë euro (23 milionë + 2 milionë bonuse). Transferimi pritet të zyrtarizohet brenda javëve të ardhshme.