Ilir Meta deputet/ Celibashi: Nëse fiton dhe çertifikohet nga KQZ, deputet

Kreu i Komisioni Qëndror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi është pyetur këtë të premte në lidhje me çështjen e presidentit të PL-së, Ilir Meta i cili ndodhet aktualisht në burg dhe është pjesë e listave të sigurta të PD-së në zgjedhjet e 11 Majit.
Në një konferencë për mediat, Celibashi u pyet se nëse Meta do të dalë deputet nga zgjedhjet e 11 majit, çfarë ndodh më tej si do të procedohet, duke qënë se ky i fundit ndodhet në burg. Lidhur me këtë kreu i KQZ-së tha se Kushtetuta parashikon, që çdo kandidat për deputet i cili shpallet fitues, e fiton mandatin që nga momenti që komisioni përkatës zgjedhor e konfirmon si të tillë, si kandidat fitues.
Pyetja: Pyetja ime ka të bëjë me listat shumëemërore të kandidatëve, pikërisht me një emër të veçantë që do të jetë pjesë e koalicionit të PD-së, Aleanca për Shqipërinë Madhështore. Bëhet fjalë për emrin e Ilir Metës, që pritet të jetë një nga kandidatët në zgjedhjet e 11 majit dhe gjasat janë edhe në listat e sigurta, referuar dhe dakordësisë mes palëve. Meta dihet që prej muajsh ndodhet në paraburgim. Në rastin kur zoti Meta do të dalë deputet nga zgjedhjet e 11 majit, çfarë ndodh më tej? Kujtoj se kemi pasur një rast të ngjashëm në 2001 me Azgan Haklajn në Tropojë dhe atë rast ju ishin kryetar i KQZ-së.
Celibashi: Sikur se mund ta kuptoni dhe ta mirëkuptoni nuk mundet në këtë moment të jap një vendim për një çështje e cila mund të jetë potencialisht objekt i shqyrtimit nga komisioneri madje edhe nga institucione të tjera. Ajo çfarë Kushtetuta parashikon, që është fakti që çdo kandidat për deputet i cili shpallet fitues, e fiton mandatin që nga momenti që komisioni përkatës zgjedhor e konfirmon si të tillë, si kandidat fitues.