Parlamenti Europian ka votuar me 519 vota pro rezolutën e Shqipërisë. Rezoluta kishte të bënte me progresin e reformave gjatë vitit 2021.
Votimi pro është përshëndetur nga raportuesja e Shqipërisë në Parlamentin Europian, Isabel Santos, e cila kërkoi gjithashtu konferencën e parë ndërqeveritare me vendin tonë. Parlamenti i kërkon Këshillit të hapë negociatat për anëtarësimin në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, veçanërisht në kontekstin gjeostrategjik të luftës në Ukrainë.
“Dështimi për të vepruar mund të ketë implikime historikisht të rëndësishme të sigurisë për stabilitetin e Evropës. Të dy vendet kanë përmbushur kushtet dhe kanë dhënë rezultate të qëndrueshme. Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut inkurajohen që të zgjidhin me shpejtësi çështjet dypalëshe në pritje”, thuhet në dokumentin e publikuar.