Secila nga ne ka një stil të veçantë që tregon shumë rreth personalitetit dhe shijes individuale, por na ndodh ndonjëherë të gabojmë. Kështu, mund të zgjedhim veshje që nuk i përshtaten siluetës tone ose të vendosim bizhuteri të ngarkuara dhe të papërshtatshëm
Në vijim duam të ndajmë me ju katër këshilla bukurie të cilat nxjerrin në pah bukurinë tuaj natyrale dhe ndihmojnë në përzgjedhjen e aksesorëve të duhur.
Zgjidhni vathë të cilat i shkojnë formës së fytyrës
Për fytyrat me formë ovale, vathët e gjatë janë një zgjedhje e mirë. Vathët me gurë të mëdhenj janë perfektë për fytyrat në formë zemre, ndërsa perlat dhe bizhuteritë e rrumbullakëta, i japin butësi fytyrave me formë katrore. Për sa i përket fytyrës në formë diamanti, vathët e vegjël me detaje delikate janë të duhurit.
Zgjidhini unazat në varësi të formës së dorës dhe gjatësisë së gishtave
Nëse doni që unaza që do të zgjidhni të shndrijë, hidhini një sy formës së duarve dhe gjatësisë së gishtave. Nëse keni gishta të gjatë, jeni me fat pasi çdo unazë do t’ju përshtatet pa asnjë problem. Nga ana tjetër, nëse gishtat tuaj janë të shkurtër, është mirë të zgjidhni aksesorë me një dizajn të gjatë vertikal dhe të shmangni gurët e mëdhenj. Sipas stilistëve, duart e vogla nuk duken mirë me unaza të mëdha dhe me ngjyra të ndezura, por duken elegante me bizhuteri me gurë të vegjël në formë zemre ose të rrumbullakët. Duarve të mëdha u shkojnë shumë unazat me gurë të mëdhenj dhe shumëngjyrëshe ndaj mund të eksperimentoni me to.
Syzet e diellit
Zgjidhni syze dielli të cilat shkojnë me veshjen në tërësi. Ato janë kthyer në aksesorët më “IN” të cilat ju bëjnë të dukeni me stil. Kini parasysh që t’i kombinoni gjithmonë me paletën e veshjeve tuaja. Për shembull, mund të zgjidhni një palë syze në ngjyrë pastel dhe t’i kombinoni me një fustan apo një bluzë në të njëjtën nuancë. Ne ju këshillojmë që pavarësisht veshjes, gjithnjë të mbani me vete një palë syze të zeza ose të bardha.
Përdorimi i rripit
Nëse xhinset tuaja janë shumë të ngushta, e mira është të mos përdorni rrip. Të njëjtën logjikë mund të përdorim edhe për xhinset me shtrat të ulët, pasi nuk duken aspak mirë me këtë aksesor. Sigurohuni vetëm të gjeni masën e duhur në mënyrë që të mos bien më shumë seç duhet. Nga ana tjetër, rripi u shkon xhinseve me shtrat të lartë pasi nxjerr në pah belin dhe ekuilibron pamjen.