Kopshtaria nuk është vetëm relaks, ja përfitimet për gjurin dhe artritin

Të moshuarit që merren me kopshtari kanë më pak gjasa të vuajnë nga dhimbjet e gjurit dhe artriti, sipas një studimi të publikuar së fundmi në revistën Clinical Rheumatology.
Studiuesit monitoruan shëndetin e gjurit të më shumë se 2,600 personave me një moshë mesatare prej 64 vjeç, duke analizuar aktivitetin e tyre në kopsht dhe krahasuar atë me shenjat e artritit ose dhimbjes së gjurit. Rezultatet treguan se njerëzit që merreshin me kopshtari kishin një rrezik 29% më të ulët për dhimbje të shpeshta në gju dhe 25-29% më të ulët për artrit në gju.
Sipas studiueses kryesore, Dr. Grace Lo nga Kolegji i Mjekësisë Baylor në Hjuston, “kopshtaria është një aktivitet që njerëzit e vazhdojnë ndër vite dhe duket se ka përfitime për shëndetin e gjurit, si dhe për mirëqenien mendore dhe socializimin.”
Megjithatë, studiuesit theksuan se ky ishte një studim vëzhgues dhe nuk provon shkak-pasojë, duke shtuar se nevojiten kërkime të mëtejshme për të kuptuar mekanizmat e mundshëm të dobisë.
Kopshtaria, përveç krijimit të ambienteve të bukura dhe prodhimit të perimeve, mund të jetë një mënyrë e thjeshtë dhe e këndshme për të mbajtur gjunjtë të shëndetshëm ndërsa plakemi.









