Kristjan Kola u ekzekutua nga vrasës profesionistë, arma ishte me silenciator

Detaje të reja janë zbardhur nga atentati që tronditi mbrëmjen e djeshme qytetin e Shkodrës, ku u ekzekutua me armë zjarri 34-vjeçari Kristian Kola, nga autorë ende të paidentifikuar. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:30, në një lokal tek kinema “Republika”, në lagjen “Vasil Shanto”.
Burime bëjnë të ditur se 34-vjeçari rezulton pa precedent penal dhe grupi hetimor nuk e ka ende një pistë hetimi. Kristian Kola ka shkuar në lokal për të takuar një mikun e tij, ku ka qëndruar shumë pak bashkë më pas kanë dalë të dy prej andej.
Sapo ai ka dalë nga lokali, para tyre është shfaqur një motor, me dy persona të maskuar me skafandra dhe të veshur me të zeza. Njëri prej tyre ka qenë në rolin e drejtuesit të motorit, ndërsa tjetri në rolin e atentatorit.
Motori është ndaluar për pak sekonda, ku autori ka qëlluar nga një distancë e afërt me një armë zjarri me silenciator në drejtim të 34-vjeçarit dhe më pas janë larguar drejt periferisë së qytetit. Kristian Kolën e kanë kapur plumbat në pjesën e gjoksit, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Pranë viktimës ka qenë dhe shoku i tij, por ai ka shpëtuar pa lëndime. Nisur nga këto detaje, janë ngritur dyshime se mund të kemi të bëjmë me vrasës profesionistë. Dyshohet se autorët e kanë mbajtur nën vëzhgim shënjestrën, teksa nuk përjashtohet mundësia që të ketë patur edhe persona të tjerë në rolin e informatorit.
Policia ka ushtruar kontrolle gjatë natës në disa zona të Shkodrës dhe ka sekuestruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë, por ende pa rezultat për identifikimin e autorëve.
Kristian Kola punonte në një kompani ndërtimi së bashku me të atin, teksa mbetet ende mister pse ndaj tij u zbrazën breshëri plumbash.








