POLITIKË

Kryemadhi: PS bleu 9 deputetë të opozitës në 2013, unë e Meta u paditëm nga Veliaj

Ish-kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi gjatë intervistës në emisionin “Log.”, ka deklaruar se kontrata e lobimit për të cilën akuzohet nga SPAK ajo dhe ish-bashkëshorti I saj, presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, është bërë për të bindur opozitën që të votojë reformën në drejtësi.

Kryemadhi shtoi se në kohën kur PD refuzonte t’i bashkohej tryezës së bashku me mazhorancën, 9 deputetë të opozitës ishin blerë nga mazhoranca për të votuar pro reformës. Sipas saj, blerja e tyre kishte të bënte me përfitime që pushteti i ofronte. Por nuk arritën ti shijonin pasi hyri kompania amerikane që loboi me PD dhe ata e miratuan reformën.

Më 3 shkurt të 2016, kompania amerikane i kërkon Ilir Metës zbatimin e reformës në drejtësi. 9 deputetë të opozitës që ishin në parlamentin e 2013 ishin të “blerë” për të votuar pro reformës në drejtësi PD nuk e pranonte, Donald Lu komunikonte vetëm me Metën e Xhafën, si bëhej që të ulej opozita për reformën, vetëm me amerikanët. Cfarë ndodhi? U mor një kompani amerikane në krye të së cilës ishte Denis Burke, po të bëni kërkim negociatori midis Xhafës, Donald Lu dhe Lulzim Bashës për nenin e famshëm 88.

Ky është prokuror erdhi në Shqipëri ka ndenjur në Rogner dhe ka negociuar dhe në qershor të 2016 PD ra dakord që të shkojnë drejt miratimit të reformës së drejtësisë e nenit 88 me konsensus të plotë. Ky është zotëria që ka firmosur kontratën me Petrit Vasilin vetëm për pjesën e reformës në drejtësi që u votua me 140 vota.

Këta pretendojnë që ne paskemi paguar 500 mijë dollarë për lobim për LSI dhe Ilir Metën. Po të lexoni kontratën, thuhet që çdo shpenzim që do bëhet për ne do të paguhet nga LSI. Nga marsi deri në prill kemi paguar 3-4 fatura që i ka nxjerrë LSI. Ne i kemi marrë këta zotërinjtë deri nga marsi dhe kemi paguar 113 mijë dollarë me faturë, që duhet t’i paguante kuvendi shqiptar por që nuk i bënte dot për lobim” – tha ajo.

Kryemadhi deklaroi se po përballet me një “gjueti shtrigash”, e cila sipas saj mbështetet në perceptime publike dhe sulme të koordinuara politike.

“Gjithçka është një gjueti shtrigash. PD në një anë, nuk them që nuk ka sulmuar LSI-në dhe Ilir Metën. PS po ashtu. Por perceptimi publik iu bashkua një fletërrufeje. Asnjë prej akuzave ndaj meje nuk ekziston,” deklaroi Kryemadhi.

Ajo mohoi kategorikisht çdo përfshirje në pastrim parash apo fshehje pasurie, duke theksuar se nuk ekziston asnjë provë konkrete që të mbështesë këto pretendime. “Që të bësh pastrim parash duhet të ketë vepër penale. Cila është ajo? Që të fshehësh pasurinë, duhet të gjesh më parë pasurinë e fshehur,” u shpreh ajo.

Sipas Kryemadhit, procedimi ndaj saj nga SPAK ka nisur mbi bazën e një padie të dorëzuar nga ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe “grupi i inceneratorëve”, siç e cilëson ajo. Ajo përmendi edhe pretendime që janë bërë publike, përfshirë ato për pronësi minierash në Afrikë, operacione plastike në vlerën e 280 mijë eurove dhe llogari offshore në Qipro, duke i cilësuar të gjitha si të pavërteta dhe të pabazuara në fakte.

“Një artikull thoshte që kam miniera në Afrikë. I gjetën minierat në Afrikë këta? Akuzuan se kam bërë operacione plastike 280 mijë euro. I gjetën? Akuzuan që Ilir Meta ka fjetur në një hotel me Kastriot Ismailajn dhe ka marrë para prej tij. Doli që nuk ka fjetur në të njëjtën dhomë dhe nga llogaritë e Ismailajt nuk ka kaluar asnjë qindarkë në llogaritë e Metës,” deklaroi Kryemadhi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button