AKTUALITETTOP-NEWS

Kthesa e motit, stuhia godet Vlorën e Sarandën

Qyteti i Vlorës është përfshirë mbrëmjen e sotme nga një stuhi e shoqëruar me reshje shiu dhe erëra të forta. Sipas raportimeve, me nisjen e stuhisë dhe shkarkesave elektrike, pushuesit janë larguar menjëherë nga plazhet.

Nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme të shkuara nga stuhia dhe era e fortë. Pritet që të ketë një ulje të ndjeshme të temperaturave në të gjithë vendin për shkak të ndryshimit të kushteve atmosferike.

Ndërkohë agjencia europiane ESTOFEX ka paralajmëruar se moti i keq do të godasë Kosovën, Malin e Zi, Bosnjën, Kroacinë, duke iu afruar shumë edhe Shqipërisë.

Meteorologët paralajmërojnë se kushtet janë të favorshme për stuhi afatgjata dhe intensive, të afta të prodhojnë dëme, veçanërisht nga reshjet e shiut dhe erërat e fuqishme.

Stuhia godet Sarandën, pemët rrëzohen mbi automjete dhe lënë të plagosur tre persona

Stuhia e fortë që përfshiu jugun e vendit nuk kurseu as qytetin bregdetar të Sarandës. Mjaftuan vetëm pak minuta me erë të fuqishme dhe reshje intensive për të shkaktuar probleme në disa zona të qytetit.

Si pasojë e erërave të forta, disa pemë u rrëzuan duke bllokuar përkohësisht rrugë të ndryshme, ndërsa dëme u raportuan edhe në bizneset përgjatë shëtitores.
Një nga incidentet më serioze ndodhi në rrugën përballë stadiumit, ku një pishë u rrëzua mbi tre automjete, duke u shkaktuar dëme materiale.

Sipas informacioneve nga shërbimi i urgjencës në Sarandë, tre qytetarë kanë marrë lëndime nga thyerja e xhamave si pasojë e stuhisë. Ata morën ndihmën e nevojshme mjekësore në spital dhe më pas u larguan drejt banesave të tyre, pasi ndodheshin jashtë rrezikut për jetën.

Pamjet e siguruara nga terreni tregojnë dëme të konsiderueshme në disa pjesë të qytetit. Ndërkohë, punonjësit e shërbimeve të Bashkisë Sarandë ndodhen në terren, ku po monitorojnë situatën, po largojnë pemët e rrëzuara dhe po punojnë për pastrimin dhe normalizimin sa më të shpejtë të qarkullimit dhe jetës në qytet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button