POLITIKË

‘Larg duart nga Memaliaj!’/ Protestuesi: Po na shuajnë identitetin dhe të ardhmen! Nuk do ta lejojmë

Qytetarët e Memaliajt vijuan protestat kundër propozimit të Partisë Socialiste për reformën e re territoriale, e cila parashikon shkrirjen e bashkisë dhe bashkimin e saj me Tepelenën. Gjatë tubimit, qytetari Emiliano Lile e cilësoi projektin si një goditje ndaj identitetit, historisë dhe zhvillimit të qytetit.

Në fjalën e tij, Lile tha se shkrirja e Memaliajt do të sjellë humbjen e institucioneve, vendeve të punës dhe shërbimeve për qytetarët, ndërsa u bëri thirrje banorëve të mos tërhiqen nga protestat. Ai theksoi se Memaliaj ka potencial ekonomik, turistik dhe historik për të qëndruar si bashki më vete, duke mbyllur mesazhin e tij me thirrjen: “Larg duart nga Memaliaj!”

Protestuesi: Atëherë përshëndetje! Quhem Emiliano Lile, qytetar, po kapim të 60-at. Ne jemi qytetarë në mision, që do të thotë t’i themi “jo” kësaj reforme territoriale. Për arsyen se: do të shpërbëhet sporti, do të shpërbëhet muzika, do të shpërbëhet dhënia e patentave, edhe çka është më sublime, edhe krijimi i familjeve të reja. Sepse aty ku s’ka një derë për të trokitur për hallet e një familjeje në zhvillim, atëherë s’ka asgjë! Unë do të thosha vetëm një gjë. Unë do të thosha vetëm një gjë: në qoftë se ne tërhiqemi, i lëmë të lirë fare. Që do të thotë, ne nuk do të heqim dorë fare nga këmbëngulja jonë për të kthyer mbrapsht të gjitha ato orientimet dhe reformat territoriale që ka ndërmarrë kjo qeveri. Dhe unë do t’i flisja kësaj baze këtu…

Do të lëshoj një mesazh shumë të qartë, për ata, televizionet e këtij qarku: Larg duart nga Memaliaj! Ose, prekni qytetin e Memaliajt. Sepse qyteti i Memaliajt është një histori minierash. Është një histori e brezave! Një histori e këtyre të rinjve që presin të trashëgojnë atë çka i lëmë ne më pas. Në qoftë se ne i lëmë institucionet shëndoshë, në qoftë se ne i lëmë arsim e kulturë të shëndoshë, në qoftë se ne ia rregullojmë jetën kësaj fëmije, brezat do vazhdojnë të gjallojnë dhe të mbajnë lart atë çka rritën dhe krijuan prindërit tanë. Ndaj ju lutem, nuk kemi pse fshihemi më! Çdo gjë është jetike për qytetin tonë. Sepse mos u gënjeni nga propaganda e qeverisë që thotë “asnjë nuk heqim”. Absolutisht po! Nga 300 vende pune që mund të jenë, rreth 300 vende pune, asnjë zyrë për të punuar nuk do ngelet. Të gjithë administratorët do të vijnë nga Tepelena! Sepse ata duan të vendosin politikat e tyre. Ndërkohë që ne nuk kemi asnjë përfaqësues në qark. Ne nuk kemi asnjë deputetin tonë këtu në Memaliaj! Dhe… Tepelena na ka diktuar që de facto ta kemi ndarë në dy identitete: identiteti lab dhe identiteti tosk. Pra bashkia Memaliaj dhe bashkia Tepelenë. Dhe është shumë e vështirë për t’u bashkuar këto, dhe nuk mund të bashkohen dot sepse ne kemi kulturë tjetër, kemi diçka tjetër, kemi histori tjetër dhe ne këtu duhet të vëmë bashkë kusht. Ndaj i bëjmë thirrje qeverisë që të heqë dorë nga Memaliaj. Të lërë Memaliajn sepse ka halle të tjera. Kemi halle të tjera! Bile ka mundësi të bjerë investime. Ka mundësi të kthejë një formim që qytetarët të rikthehen, të rritet popullariteti në qytet. Të zhvillohet, të marrim përparësi sepse ne, me pak metra, ne dalim në rrugë nacionale që kapin Evropën. Ne jemi të lidhur me autostradat, ne nuk jemi Libohova që do katër orë të dalësh, apo Këlcyra që është rrugë qorre. Jemi rrugë nacionale, jemi bashkia e dytë në qark. Kemi potencialin ekonomik, kemi resurset e turizmit, kemi resurset e njerëzve. Ne jemi gati 8 mijë banorë. Dhe kjo shpërbëhet sepse na heqin… na heqin zyrat qendrore. Kemi të detyruar që ta braktisim. Dhe po iku dhe kjo bashki, ne kemi falimentuar! Ndaj i bëj thirrje të gjithëve të këmbëngulim sa më fort dhe mos të fshihet asnjëri, por të zgjohet nga njëri te tjetri. Sepse do vazhdojë, në qoftë se ne i qëndrojmë të largët, ajo na ka ardhur te dera. Dhe po jua bëj të ditur: këshilli bashkiak është i përbërë nga shtatë anëtarë të Partisë Socialiste. Nga ata, gjashtë banojnë në Tiranë sot! Aktualisht. Dhe janë të gjithë nga administrata… Dhe ky qytet që vërtet kërkon… dhe ju që jeni sot këtu jeni nga të gjitha forcat politike. Por unë ju mbështes sepse jam qytetar në mision dhe dua që të rinjtë të gjallojnë. Të mbrojmë historinë, të mbrojmë sportin, të mbrojmë kulturën, të mbrojmë identitetin tonë si qytet i Memaliajt. Ndaj do të jemi deri në fund, deri në fund që ne të jemi të gjithë fitues. Dhe kam besim. Ju faleminderit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button