Lëngu i frutave ndihmon, por nuk zëvendëson frutat e plota

Një gotë lëng frutash në ditë mund të ndihmojë në plotësimin e nevojave ditore për fruta dhe perime, por nuk mund të zëvendësojë frutat e plota.
Ky është përfundimi i një studimi të kryer nga Universiteti i Newcastle në Britaninë e Madhe, në një kohë kur konsumi i frutave dhe perimeve në Europë mbetet nën nivelet e rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Studiuesit analizuan ndikimin e lëngjeve të frutave në dietë dhe mirëqenien mendore. Ata vunë re se personat që konsumonin çdo ditë një gotë lëng frutash 100% natyral, ose që rritën konsumin e frutave dhe perimeve, arritën më lehtë rekomandimin për pesë porcione në ditë. Për më tepër, këta individë shfaqën përmirësime të lehta në simptomat e depresionit.
Ekspertët shprehin shqetësim se çmimet e larta të produkteve të freskëta dhe vështirësia për t’i ruajtur ato pengojnë shumë njerëz të konsumojnë 400 gram fruta dhe perime në ditë, që është norma e rekomanduar.
Megjithatë, nutricionistët paralajmërojnë se lëngu i frutave nuk mund të zëvendësojë frutat e plota, pasi gjatë përpunimit humbet një pjesë e fibrave dhe lëndëve ushqyese të rëndësishme, ndërsa sheqeri mbetet i lartë.
Për këtë arsye, frutat e plota duhet të mbeten zgjedhja kryesore, ndërsa një gotë e vogël lëng frutash 100% natyral mund të përdoret vetëm si plotësues i dietës së përditshme.









