Tashmë e konfirmon vetë Lionel Messi. Aventura e re e ylli argjentinas do të jetë tek Inter Miami. Lajmin e ka bërë të ditur vetë “Pleshti” gjatë një interviste dhënë për Mundo Deportivo.
“Nuk do të rikthehem te Barcelona, do të shkoj tek Inter Miami. Kam marrë një vendim që të shkoj në Miami. Nuk është akoma e mbyllur në 100% si marrëveshje. Mungojnë ende disa gjëra, por kemi vendosur të ecim në këtë rrugë. Nëse do të zgjidhja në Europë, do të shkoja vetëm te Barcelona”, tha gjatë intervistës së tij Messi i cili gjithashtu konfirmoi se kjo nuk është një zgjedhje për para.
“Nëse do të ishte një çështje për para, atëherë do të kisha shkuar në Arabi, ose diku tjetër” tha Messi.
Mbyllet kështu përfundimisht dera për Al Hilal në Arabinë Saudite që ofroi për Messin një pagë rreth 400 milionë eurosh në sezon e gjithashtu edhe për Barcelonën, që kohët e fundit po diskutonte me babain e Messit, që njëkohësisht është edhe agjenti i tij.