Tuesday, April 23, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeUncategorizedLipavsky: Liberalizimi për Kosovën do të përmbyllet së shpejti

Lipavsky: Liberalizimi për Kosovën do të përmbyllet së shpejti

Ministri i jashtëm çek, Jan Lipavsky, tha të enjten në Prishtinë se Çekia, e cila mban kryesinë e radhës së Bashkimit Evropian, ka pritshmëri të larta që procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të përmbyllet përgjatë presidencës çeke.

Zoti Lipavsky, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, i bëri këto komente pas takimit me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi.

“Është një proces i cili varet nga aspekte teknike dhe vendime politike. Shumë shpejt Bashkimi Evropian do të rishikojë aspektet teknike dhe ndërkohë unë shpresoj që presidenca çeke do të mundet të sigurojë një marrëveshje politike mbi liberalizimin e vizave për Kosovën. Pastaj i kthehemi procesit teknik për ta jetësuar këtë çështje, prandaj është e vështirë të parashikohet data kur këto procese do të përfundojnë. Por pritshmëritë e mia nga vendimet politike janë shumë të larta dhe kjo është agjenda në të cilën unë po punoj”, tha ai.

Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën pritet të jetë në rend dite me 13 tetor, në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian.

Zëvendëskryeministri Bislimi tha se qeveria ka punuar me intensitet të shtuar përgjatë 18 muajve të kaluar me të gjitha vendet skeptike sa i takon liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Kur na erdhi kërkesa për një raport të përditësuar të çështjeve teknike, ekipi im përgatiti një raport me 33 faqe me informacione mbi të gjitha zhvillimet e rëndësishme që kanë ndodhur në Kosovë që nga viti 2018. Me këtë raport synojmë të tregojmë që Kosova tashmë gjendet në një rrugëtim krejt tjetër, që rrëfimet e dëgjuara më parë nuk ekzistojnë më, se kemi një demokraci të re që po trajton të gjitha çështjet e ngritura nga shtetet skeptike. Unë personalisht i kam takuar të gjithë krerët e shteteve që ende kanë dyshime, dhe vlerësoj që tani e kemi momentin dhe mjedisin që ofron mundësi për një vendim pozitiv mbi këtë çështje”, tha ai.

Zoti Lipavsky theksoi se Ballkani Perëndimor është përparësi e presidencës së Çekisë, duke nënvizuar se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet shteteve të Ballkanit është thelbësor për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

“Pa shënuar përparim në pajtim është e pamundur të bëheni pjesë e Bashkimit Evropian, i cili është në thelb një projekt i paqes. Këtu dua ta theksoj mbështetjen time të plotë për të dërguan e posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Shpresoj që përparimi mund të arrihet por të dyja palët duhet të respektojnë dhe zbatojnë të gjitha marrëveshjet tashmë të arritura”, tha ai.

Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që mbeten jashtë Bashkimit Evropian, qytetarët e Kosovës janë të vetmit që nuk mund të lëvizin pa viza në shtetet e Evropës./VOA/

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME