Sunday, October 13, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeKULTURËLuan Rama: Portat e hapura të profesor Cabanes

Luan Rama: Portat e hapura të profesor Cabanes

(Les “Portes ouvertes” du professeur Pierre Cabanes

———-

Takimet me personalitetet e shkencës dhe artit shpesh na shpalosin një botë humane që s’kemi patur rastin ta njohim më parë. Në mbrëmjen e djeshme në “Maison d’Albanie”, në Paris, takimet shumë miqësore me arkeologë e historianë shqiptarë e francezë në rrëfimet e profesor Cabanes ishin emocionante, ku mësuam diçka më shumë nga shpirti njerëzor. Cabanes rrëfente udhëtimet e tij në Shqipëri prej një kohe 50 vjeçare, duke kujtuar miqtë e kolegët e tij shqiptarë, të vdekur tashmë, arkeologë e historianë të spikatur si Skënder Anamali, Aleks Buda, Frano Prendi, Selami Islami, Frano Prendi, Aleksandra Mano, Dhimosten Budina e shumë të tjerë. Ishin prekëse kujtimet për Dhimosten Budina e Frano Prendi, atëherë të ndarë nga gratë e tyre të huaja të “kampit socialist” por që i ruanin ende plagët e tyre të shpirtit.

Kur nga mesi i viteve ‘80 Dhimosten Budina ishte ftuar nga Cabanes në Francë, në shtëpinë e tij, gjëja e parë që i kishte kërkuar ishte të fliste në telefon me Moskën. Sigurisht, ai s’kishte mundur asnjëherë të fliste me ish gruan e tij pas prishjes së Shqipërisë me “kampin socialist”. Cabanes kujton atë çast kur Budina dilte nga dhoma me lotë në sy dhe qante dhimbjen e tij të madhe për gruan e përzënë nga Shqipëria si qindra gra të tjera të huaja. Kjo kishte ndodhur dhe me Frano Prendin që studjonte në Sofia por edhe me të tjerë.

Për Cabanes, veç raporteve shkencore, ajo që kishte rëndësi me kolegët e tij shqiptarë ishin raportet humane, ato të shpirtit. Kujtonte takimet e shumta në Hotel Dajti në vitet ’70-‘80 si dhe ftesën e parë në një shtëpi shqiptare që i hapte portat: ishte shtëpia e Aleks Budës. Dhe ajo që i bëri përshtypje ishte gruaja e Budes që gjatë drekës i kishte recituar poezi franceze të cilat i kishte mësuar gjatë Liceut Francez të Korçës. Ishte Buda që i propozoi të rifillonte misioni i dikurshëm arkeologjik francez, që mjerisht Leon Rey-t ia Shqipëria e pasluftës ia kishte ndërprerë.

Arkeologët shqiptarë Etleva Nallbani dhe Marin Haxhimihali kujtuan mbështetjen e madhe që Cabanes u dha brezave të shumtë arkeologë të Shqipërisë. Ishte “Cabanes që më hapi rrugën e arkeologjisë”, kujtonte Nallbani dhe po kështu Haxhimihali, të cilët kujtonin ndihmën e madhe dhe përpjekjet e Cabanes për formimin e arkeologëve të rinj shqiptarë në shkollat franceze, ftesat për ta në konferencat ndërkombëtare apo kolokiumet në Francë. Ishte gjihtnjë porta e hapur e Cabanes, kudo dhe kurdo, pavarësisht nga vështirësitë që ndeshte në Shqipëri në kohën e trazirave të mëdha dhe të konvulsioneve plot krisma shqiptare kur dhe në Gramata ku do të studjonte mbishkrimet e vjetra byzantine, krismat e armëve i fërshëllenin shumë pranë.

Jeta e këti specialisti të madh, e këtij eruditi të antikitetit, është e mbushur me histori të cilat do duhet që ai ti shkruaj një ditë, çka bëri dhe Leon Rey me kujtimet e tij shqiptare të cilat pata fatin ti përkthej dhe të botohen në Tiranë. Pas takimit, në restorantin “Apollonia” në Paris, në Buttes aux Cailles, një suprizë e veçantë për Cabanes: përsëri Apollonia, e hapur nga Petro, miku ynë i dashur. Dy Apolloni që pikëtakoheshin brenda një nate: njëra në Paris dhe tjetra në Apolloninë e Ilirisë. Tek dera e restotrantit, afishja me fotografinë e tij!

Janë dy paralele mjaft të qarta mes dy prej figurave më të mëdha të arkeologjisë franceze lidhur me Shqipërinë: ajo midis Leon Rey-it dhe Pierre Cabanes. Në fundin e viteve ’20, kur Rey nisi zbulimet e para dhe në Francë mbante konferencat për Shqipërinë, gazetat franceze e konsideronin si ambassador të Shqipërisë. E njëjta gjë do të ndodhte dhe me Cabanes, kur pas trazirave të mëdha ai i kërkonte qeverisë franceze një mbështetje të fuqishme për integrimin e Shqipërisë në Europën e Bashkuar. Në rrëfimet e mbrëmshme, siç e theksoi dhe arkitekti Philippe Lenhard, secili nga ne ka shumë për të treguar për Cabanes. Në fakt, jeta e këtij “patriarku” të madh të arkeologjisë dhe epigrafisë së antikitetit në Shqipëri është pasionante, ku veç rigorozitetit shkencor, dimensioni human është mjaft spikatës. 92 vjeçar, edhe pse i tërhequr nga terreni arkeologjik, ky shkencëtar vazhdon të jetojë me Shqipërinë. Botimi së shpejti i studimeve të tij shqiptare nga Shkolla Franceze e Athinës, do të nxjerrë në dritë elemente të reja të veprës së tij të botuar në shumë gjuhë të huaja. “Portat” e Cabanes do ti gjeni gjithnjë të hapura…

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME