AKTUALITETTOP-NEWS

Rruga Fier–Seman, një aks i rrezikshëm. ARrSh duhet të  ndërhyj urgjent (foto e video)

Fier – Aksi rrugor që lidh qytetin e Fierit me plazhin e Semanit, me një gjatësi prej rreth 20 kilometrash, vijon të mbetet një ndër segmentet më problematike në jug të vendit. Edhe pse i asfaltuar prej vitesh, ky segment është degraduar ndjeshëm, duke u kthyer në burim rreziku të vazhdueshëm për drejtuesit e automjeteve.

Në shumë pjesë të tij, rruga paraqet amortizim të theksuar, me gropa të shumta dhe nivele të pabarabarta, çka e bën lëvizjen të vështirë dhe shpeshherë të rrezikshme. Mungesa e sinjalistikës rrugore në disa segmente e përkeqëson edhe më tej situatën, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e aksit është aq e ngushtë, sa dy automjete mezi shkëmbehen me njëra-tjetrën, duke detyruar njërin prej tyre të dalë jashtë karrexhatës.

Kjo gjendje ka sjellë pasoja të rënda ndër vite. Aksidentet janë të shpeshta, ku jo rrallëherë automjetet kanë përfunduar në kanalet anësore të rrugës. Për pasojë, janë regjistruar të plagosur, por edhe viktima, duke e kthyer këtë aks në një “pikë të zezë” për sigurinë rrugore.

Banorët e zonave përgjatë këtij segmenti rrugor kërkojnë prej kohësh ndërhyrje konkrete nga institucionet përgjegjëse. Sipas tyre, rruga duhet jo vetëm të rikonstruktohet, por edhe të zgjerohet sipas standardeve bashkëkohore, duke garantuar hapësirë të mjaftueshme për qarkullimin e dy automjeteve, si dhe për lëvizjen e sigurt të motorëve dhe biçikletave.

Pavarësisht këtyre kërkesave të vazhdueshme, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë projekt serioz për përmirësimin e këtij aksi. Ndërkohë, trafiku mbetet i lartë gjatë gjithë vitit, me një rritje të ndjeshme nga muaji prill deri në tetor, periudhë që përkon me sezonin turistik dhe frekuentimin e plazhit të Semanit.

Një tjetër faktor që, sipas banorëve, ka ndikuar në përkeqësimin e gjendjes së rrugës, është qarkullimi i shpeshtë i automjeteve të tonazhit të rëndë. Këto mjete përdorin këtë aks për të arritur në stacionin e gazit pranë bregdetit, duke rënduar më tej infrastrukturën ekzistuese.

Në këto kushte, ndërhyrja në këtë segment nuk është më një çështje zgjedhjeje, por një domosdoshmëri për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe për të mbështetur zhvillimin turistik të zonës së Semanit./ ALB365

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button