Mali i Zi hedh një tjetër hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit në BE

Vendet e Bashkimit Evropian vendosën këtë të mërkurë të fillojnë punën për hartimin e një traktati pranimi për Malin e Zi, duke shënuar një fazë të re në rrugën e vendit drejt anëtarësimit në Union.
Ambasadorët nga 27 shtetet anëtare të BE-së vendosën të krijojnë një “grup pune ad hoc” për hartimin e paktit të pranimit, një hap teknik, por kyç në rrugën drejt anëtarësimit.
“Ky është një hap i madh në rrugën drejt anëtarësimit në BE, një njohje e qartë e progresit të Malit të Zi dhe një inkurajim për të përshpejtuar reformat”, – shkroi Komisionerja Evropiane e Zgjerimit, Marta Kos, në një postim në X.
“Gjithashtu kjo ofron një mundësi për të nxjerrë mësime nga zgjerimet e kaluara dhe për të përfshirë masa mbrojtëse të reja dhe më të forta në traktatet e ardhshme të pranimit për të parandaluar kthimin prapa në sundimin e ligjit dhe vlerat themelore”, – shtoi ajo.
Edhe Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, e uroi vendin ballkanik pas vendimit të marrë .
“Vendimi për të krijuar Grupin e Punës për të hartuar Traktatin e ri të Anëtarësimit është një moment kyç”, – tha ai.
“Mali i Zi, së bashku me Shqipërinë, është një nga kandidatët kryesorë për t’u bërë vendi i parë që i bashkohet Bashkimit Evropian që kur Kroacia u pranua në Union në vitin 2013.
Podgorica ka përfunduar negociatat për 14 nga 35 të ashtuquajturat “grup-kapituj” rreth temave të ndryshme, nga taksimi te politika mjedisore – duke rritur shpresat se mund të bëhet anëtare e BE-së në vitet e ardhshme.
Qeveria e Malit të Zi ka thënë se shpreson të anëtarësohet në BE deri në vitin 2028. Ish-republika jugosllave u bë e pavarur në vitin 2006. Ka një popullsi prej rreth 600,000 banorësh.











