Meghan Markle kritikohet për përdorimin e titullit mbretëror

Meghan Markle është kritikuar në rrjetet sociale pasi dyshohet se ka shkelur marrëveshjen e arritur në Samitin Sandringham.
Në vitin 2020, Meghan dhe Princ Harry njoftuan se do të tërhiqeshin nga detyrat si anëtarë aktivë të familjes mbretërore dhe do të jetonin një jetë të pavarur financiarisht.
Megjithatë, gjatë një takimi të rëndësishëm me Mbretëreshën Elizabeth (në atë kohë), Princin Charles dhe Princin William, u ra dakord që ata nuk do ta përfaqësonin më zyrtarisht Mbretëreshën në Komonuelth.
Gjatë këtij samiti, çifti ruajti titujt “Lartësia e Tij/Saj Mbretërore” (HRH), por iu ndalua përdorimi i tyre. Tani, Meghan, e cila jeton në Montecito me Harryn dhe dy fëmijët e tyre, është kritikuar pasi është shfaqur një foto ku ajo ka përdorur titullin “HRH The Duchess of Sussex” në një dhuratë dërguar një mikeshës së saj.
Përdorimi i këtij titulli është parë si shkelje e marrëveshjes publike që ata vetë kishin bërë në 2020, ku u tha qartë se nuk do ta përdornin më aktivisht këtë titull. Edhe pse kjo nuk përbën shkelje ligjore, shumë përdorues të rrjeteve sociale e kanë cilësuar si mungesë respekti ndaj Mbretëreshës së ndjerë dhe familjes mbretërore.
Ndërkohë, burime pranë Meghan pretendojnë se titulli nuk është përdorur për qëllime komerciale.
Për më tepër, komentet negative janë shtuar pas publikimit të një videoje ku Meghan bën një përulje “mesjetare” që shumë e kanë interpretuar si tallje.