Ekzekutimi në Vlorë, policia ndalon një person në Tiranë

Mediat raportojnë se policia ka shoqëruar një person me inicialet E. M, lidhur me ekzekutimin e Renato Hoxhajt në Vlorë më 27 prill. Sipas të njëjtave burime ai është ndaluar në Tiranë.
Dyshohet se ai mund të jetë ndihmës i autorit të vrasjes, pasi flitet se ka larguar autorin me makinë nga vendi i ngjarjes. Të njëjtat burime raportojnë se dyshohet se ka edhe persona të tjerë të përfshirë.
Raportohet se porosia për vrasjen mund të ketë ardhur nga jashtë vendit për vrasjen e 58-vjeçarit. Po hetohet nëse viktima ka qenë pjesë e grupeve kriminale në qytetin e Vlorës ose mund të ketë pasur informacion për ndonjë ngjarje të rëndë.
58-vjeçari u ekzekutua me 4 plumba në lagjen “Hajro Çakërri” në Vlorë pranë banesës së tij teksa kthehej në shtëpi. Ai kishte punuar si roje në një objekt ndërtimi, punë të cilën e kishte lënë para një viti.
Një kamera sigurie ka filmuar autorin, të maskuar me kapele e shall. Të shtënat u dëgjuan edhe nga bashkëjetuesja e tij, e cila i tha policisë se mendoi se ishin fishekzjarrë.