AKTUALITETTOP-NEWS

Revoltohen banorët e Kreshpanit: “Na morën votat dhe na lanë në baltë, mungojnë investimet”

Cakran – Dhjetra banorë të fshatit Kreshpan të njësisë administrative Cakran, bashkia Fier, kanë ngritur zërin njëzëri kundër neglizhencës së qeverisjes vendore. Në një takim të zhvilluar mbrëmjen e së dielës, banorët i adresuan deputetes së opozitës Brunilda Haxhiu një sërë shqetësimesh të mbledhura prej vitesh, të cilat, sipas tyre, pushteti lokal i ka injoruar pavarësisht premtimeve elektorale dhe votave që komuniteti ka dhënë.

Rruga 2 km që është kthyer në “makth 10 kilometrash”

Një nga problemet më të mprehta që banorët ngritën është mungesa e rrugës kryesore që lidh lagjen e Kreshpanit me fshatin. Sipas tyre, prej vitesh janë ankuar se segmenti vetëm 2 km i gjatë, i cili duhej të lidhte drejtpërdrejt zonën me qendrën e fshatit, është i paasfaltuar dhe i pakalueshëm gjatë dimrit. Për këtë arsye, fermerët detyrohen të përshkojnë 10 km rrethrrotullim nga Cakrani vetëm për të çuar prodhimet bujqësore në treg apo në fabrikat e përpunimit të ullirit.

“Është turp i Zotit të na lësh kështu. S’kemi rrugë, s’kemi drita, s’kemi asgjë. Votojmë, presim, por asnjë nuk vjen të shohë si jetojmë,” — shprehen banorët në sinkronin e siguruar gjatë takimit.

Rezervuari i ujit “në duart e njërit” — fermerët thonë se janë në pikë të hallit

Një tjetër shqetësim serioz që banorët i adresuan deputetes ishte ai i rezervuarit të fshatit. Sipas tyre, rezervuari që dikur shërbente për vaditje të tokave të gjithë fshatit, sot administrohet vetëm nga një person i lidhur me Partinë Socialiste.

Banorët pretendojnë se vetëm ky person përdor ujin për tokat e tij, ndërsa dhjetra fermerë të tjerë janë lënë pa akses, duke vuajtur pasoja të rënda në prodhim dhe ekonominë familjare.
“Na kanë lënë pa ujë, pa shpresë. Nuk vaditim dot asnjë dynym. Ky vend po shuhet dita-ditës,” — shprehen fermerët.

Ish-drejtues lokalë: “Në Cakran janë shtruar vetëm dy rrugë në 12 vite pushtet”

Edhe ish-kryetari i komunës Cakran, Vladimir Korçari, si dhe mësuesi prej dekadash Ferdinant Meçe, morën fjalën duke akuzuar qeverisjen vendore se ka lënë pas dore zonën.

Sipas tyre, në 12 vitet e fundit, në Cakran dhe fshatrat përreth janë shtruar vetëm dy rrugë, ndërsa taksat janë rritur ndjeshëm. Ata theksojnë se bujqësia është lënë në mëshirë të fatit dhe se mungesa e investimeve ka sjellë varfërim dhe largim të të rinjve.

“Socialistët dinë vetëm të rrisin taksat dhe të mbledhin taksa. Investimet? Zero. Kreshpani sot është më keq se 20 vite më parë,” — u shprehën Korçari dhe Meçe në sinkron.

Brunilda Haxhiu: “Do ta ngre në Parlament. Nuk do të hesht derisa problemet tuaja të zgjidhen.”

Deputetja e opozitës Brunilda Haxhiu, e ftuar nga vetë banorët, u angazhua se do të çojë të gjitha shqetësimet e ngritura në Parlament dhe në çdo institucion ku ajo ka zë. Haxhiu tha se është e vendosur të flasë deri në fund, derisa qeveria dhe bashkia të marrin masa konkrete.
“Unë nuk jam këtu për fushatë, por për të dëgjuar dhe për t’ju mbështetur. Do t’i çoj një për një të gjitha problemet që ngritët dhe do të kërkoj zgjidhje deri sa t’i merrni atë që ju takon,” — u shpreh Haxhiu.

Banorët: “Kemi humbur besimin, por jo zërin”

Në përfundim të takimit, banorët theksuan se edhe pse janë të zhgënjyer dhe të lodhur nga premtimet e pambajtura, nuk do të heshtin. Ata paralajmërojnë se nëse institucionet nuk reagojnë, protestat do të vijojnë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button