Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta është shprehur se situata në Kosovë është e provokuar nga Beogradi zyrtar duke e cilësur si një shërbim ndaj regjimit të Rusisë me qëllim për të shpërndarë vëmendjen nga krimet që po ndodhin në Ukrainë.
Përmes një videoje të postuar në Facebook, Meta është shprehur se qytetarët serb në Kosovë gëzojnë të drejtat që kurrë nuk do ti gëzonin në Serbi.
Postimi i Metës:
“Qytetarët serb në Kosovë gëzojnë të drejtat që kurrë nuk do ti gëzonin në Serbi. Askush sdo ti kushtonte atyre aq vëmendje dhe aq mbështetje nuk do ju jepej në Serbi për shkak të diskriminimit shumë pozitiv që garanton Kushtetuta e Kosovës. Kjo nuk është një betejë e Beogradit për të drejtat e tyre por është vazhdim i politikave të vjetra të Millosheviçit për ekspansion, për të mos e njohur atë realitet që ka ndodhur.
Situata në Kosovë është e provokuar nga Beogradi zyrtar përmes mbështetjes, frymëzimit dhe financimit të strukturave kriminale serbe në Veri të Kosovës. Kërcënimi i vetëm për qytetarët e Veriut të Kosovës dhe në veçanti për qytetarët serbë janë pikërisht këto banda, përgjegjësia e të cilave është e Beogradit, që i aktivizon sa herë që do të krijojë tensione artificiale.
Kjo nuk është një betejë e Beogradit për të drejtat e qytetarëve serbë në Veri të Kosovës, por një shërbim ndaj regjimit të Rusisë me qëllim për të shpërndarë vëmendjen nga krimet që po ndodhin në Ukrainë.”