Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta thotë se përçarja brenda në Partisë Demokratike nuk do të ndikojë në protestën e thirrur prej forcës së tij në 13 shtator në inceneratorin e Tiranës.
Në një konferencë për shtyp që mbajti pasditen e së dielës Meta tha se kjo do të jetë një protestë e qytetarëve dhe nuk ka rëndësia partia që e ka thirrur atë.
“Atje ku padrejtësia kthehet në ligj, rezistenca është detyrë për të gjithë. Në Shqipëri tashmë korrupsioni dhe mafia kanë instaluar sistemin e tyre, afera e inceneratorëve është afera më skandaloze e kapjes së shtetit prej fyti.
Shkatërrimi i interesit publik, vjedhja e taksapaguesve të Tiranës dhe Shqipërisë dhe personat që janë në kërkim ndërkombëtar janë formalisht në këtë afere, pasi është vetëm një person që e ka garantuar këtë aferë, dhe ai është Edi Rama. Janë bërë brenda një dite 14 vendime brenda një dite.
Ne ndërmorëm këtë iniciativë, kjo do të jetë protestë e qytetareve. Dikush ndërmerr një iniciative për protestat, e merr një grup interesi, një forcë politike apo opozita, Por më e rëndësishme është që qytetarët të protestojnë çdo ditë sepse këtu vidhet pa pushim”, – tha Meta.