POLITIKËTOP-NEWS

Meta: Rama po vendos ‘fashizmin vendor’, qytetarët duhet të ngrihen kundër centralizimit të pushtetit

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një intervistë ekskluzive për Syri.net ka reaguar për reformën e re administrativo-territoriale të propozuar nga Partia Socialiste, duke e akuzuar kryeministrin Edi Rama për centralizim të pushtetit vendor dhe largim të shërbimeve nga qytetarët.

Meta deklaroi se alternativa e opozitës me mbi 100 bashki është një mundësi për rikthimin e decentralizimit dhe zhvillimin e zonave rurale. Ai kritikoi reformën e vitit 2014, duke pretenduar se ajo ka sjellë shpopullim, dobësim të shërbimeve vendore dhe përqendrim të investimeve në qendrat e mëdha urbane.

Intervistë ekskluzive e Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta dhënë për portalin “Syri.net”

Meta: Koha për decentralizim, fund fashizmit vendor. Revoltë qytetare përballë pabesisë së Ramës

Pyetje: Z. Meta, dje PS publikoi variantin e saj për Rreformën e pushtetit vendor, e cila shkrin edhe 15 bashki të tjera. Ndërkohë opozita publikoi variantin e saj me 100 bashki. Cili është qëndrimi juaj?

Meta: Se ç’do të bënte Edi Rama nuk ishte fare surprizë për mua.

Por e kam mbështetur pjesëmarrjen e opozitës në Komisionin e Reformës Administrative-Territoriale për t’i hequr çdo alibi atij se ja opozita e bojkotoi dhe nuk është faji ynë që ata nuk kanë alternativë.

Të gjitha dëgjesat publike të cilat u censuruan fort nga PS, dëshmonin dështimet e Reformës Administrative-Territoriale të 12 viteve më parë dhe tregonin se rezultatet për qytetarët ishin krejt të kundërtat nga premtimet kur u bë Reforma.

Pra se shërbimet ishin përkeqësuar dhe larguar nga qytetarët, se administrata vendore ishte fryrë me patronazhistë dhe investimet ishin përqëndruar në qendrat e qyteteve të mëdha duke shtuar betonizimin e tyre, i cili është faktor i madh edhe për rritjen e temperaturave në verë.

Po kështu, braktisja e zonave rurale ka sjellë shpopullimin e tyre që ndjehet kudo. Por i paduruar në arbitraritetin e tij, Edi Rama nuk respektoi as anën proceduriale parlamentare, por në mënyrë të njëanshme doli me variantin e tij të padiskutuar në komision ende pa u ezauruar agenda e planifikuar e Komisionit.

Kjo dëshmoi para tërë shqiptarëve e qytetarëve se sa ” dëgjon” Edi Rama. Ndaj edhe qytetarët ndjehen të fyer dhe të përjashtuar pabesisht nga Edi Rama dhe sekti i tij.
Këtë e kanë dëshmuar qytetarët e Prrenjasit dhe sidomos të Poliçanit dje.

Dhe veçanërisht të fyer ndihen socialistët e këtyre bashkive, të cilëve para zgjedhjeve të fundit u ishte premtuar se nuk do cënoheshin bashkitë e tyre.

Por kryesorja është që opozita publikoi alternativën e saj të munguar prej 12 vitesh, e cila pa asnjë diskutim do ishte votuar që atëherë nëse do të paraqitej.

Por e shoh tërësisht të mundur që ajo të imponohet edhe tani, pasi është në interesin e të gjithë qytetarëve kudo në Shqipëri, përfshirë edhe socialistët.

Është e domosdoshme që kjo hartë e re e opozitës të shpjegohet çdo ditë, kudo e së pari në terren pranë komuniteteve, të cilët duhet të jenë edhe më të interesuarit për realizimin e saj.

Jam i bindur se do mbështetet gjerësisht nga qytetarët që kanë vuajtur kaq shumë këto 11 vite nga centralizimi i pushtetit vendor dhe përqëndrimi i tij vetëm me investime betonizuese kryesisht në qendrat e qyteteve.

Janë 64 komunitete që përfitojnë drejtpërdrejt nga alternativa e opozitës.

Por edhe në bashkitë që nuk preken sipas variantit rilindas qytetarët do të përfitojnë përsëri pasi fryrja e këtyre bashkive do ta bëjë më të vështirë shërbimin ndaj tyre.

Për shembull qytetarët e bashkisë Berat edhe sot kanë kaq shumë probleme me shërbimet në bashkinë e tyre, sidomos ata të zonave rurale.

Mendojeni sikur të bashkoheshin edhe bashkitë e Poliçanit dhe të Dimalit.

Por Edi Ramës i intereson vetëm centralizimi i pushtetit vendor, tenderave e financave vendore në pak duar (kukullash) dhe jo cilësia e shërbimeve ndaj qytetarëve.

Po kështu atij i intereson thellimi i shpopullimit të vendit si edhe shkatërrimi i identitetit historik, kulturor të shumë komuniteteve si pjesë e platformës së tij të shkombëtarizimit gjithashtu.

Tani është mundësia që opozita me alternativën e saj të shkojë te qytetarët dhe të kërkojë mbështetjen e tyre në mënyrë që kjo alternativë të votohet me çdo çmim nga ky Kuvend inekzistent për qytetarët, i cili është zëvendësuar tashmë prej dy muajsh nga sheshi i protestës.

Pyetje: Ju thatë se kjo alternativë ka 12 vjet që mungon dhe se do ishte miratuar që atëherë nëse do të ishte propozuar. Ndërkohe, që ju e votuat këtë reformë bashkë me Edi Ramën, për më tepër që thuhet se ju e keni negociuar këtë reformë?

Meta: Në respekt vetëm të të vërtetës dhe fakteve, kjo Reformë aktuale është Rama – Basha dhe jo Rama – Meta.

Sepse është fakt i pa diskutueshëm që unë nuk mund të votoja këtë Reformë Administrative-Territoriale pa opozitën edhe pse shumica e jonë i kishte votat.

Ndaj me insistimin tim, i ndjeri, Z. Bashkim Fino dhe Z. Petrit Vasili morën pjesë në konferencën e PD atëherë për pushtetin vendor, duke u kërkuar të sillnin një variant të tyre me 90 – 110 njësi vendore nga rreth 400 njësi vendore që ishin atëherë.

Por Lulzim Basha kurrë nuk solli apo paraqiti një alternativë të tillë sepse ishte në bashkëpunim të fshehtë me Edi Ramën.

Interesi i tij ishte të fitonte Lezhën dhe Pogradecin ne ndihmën e nëndheshme të Edi Ramës, siç edhe ndodhi, dhe jo të bëhet një reformë serioze afatgjatë.

Po kështu, duke e bojkotuar Reformën ai shpikte edhe alibinë e humbjes.

Por Z. Vasili mund t’ju japë edhe më shumë detaje meqenëse ai ka qenë jo vetëm në konferencën e PD por edhe në të gjithë takimet e mia me Z. Rama dhe Z. Ruçi.

Ndërkohë të mos harrojmë se ishte Basha ai që me vetëdije të plotë, nën shantazhin e McGonigalëve dhe drejtësisë së Edi Ramës ja fali Ramës në tavolinë të gjithë pushtetin vendor në vitin 2019 dhe madje bojkoti edhe dekretin e Presidentit për shtyrjen e zgjedhjeve, që e kërkoi po vetë.

Por e rëndësishme tani është që opozita dhe sidomos deputetët e saj të shkojnë në të gjithë Shqipërinë të shpjegojnë për qytetarët, të takojnë të gjithë aktorët vendorë, pa paragjykime dhe të formalizojnë propozimin e tyre për në Kuvend, si e vetmja zgjidhje për t’i dhënë fund fashizmit vendor dhe rivendosur decentralizimin vendor dhe rikthyer shërbimet pranë qytetarëve.

Ky do të ishte një hap i madh përpara edhe për popullimin e Shqipërisë dhe ruajtjes së identitetit historic, kulturor të dhjetëra komuniteteve dhe trevave patriotike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button