“Përplasje me teknikun”, “iku nga grumbullimi se donte të ishte titullar”, “u injorua nga stafi i kombëtares”, “Sylvinho nuk e thirri se janë zënë”. Këto janë insinuatat që kanë rrethyer në mënyrë banale rikuperimin delikat të sulmuesit të Chelsea Armando Broja. Lojtari që u thirr për ndeshjet e tetorit kundër Republikës Çeke dhe Bullgarisë, u largua përpara se të debutonte me teknikun brazilian në pankinë, zyrtarisht për shkak dëmtimi. E tani, Broja ka thyer heshtjen duke sqaruar gjithcka, njëherë e mirë.
“Përshëndetje! I gjithë ky lajm i rremë që qarkullon duke thënë se nuk më intereson ekipi Kombëtar. E se unë dhe menaxheri jemi zënë është gënjeshtër e plotë. Unë e dua Kombëtaren me gjithë zemër”, debuton në mesazhin e tij në rrjetet sociale Broja. Edhe kaq mjafton për të patur thelbin e kontentit të mesazhit të sulmuesit më të talentuar të Shqipërisë. Sulmuesi i Chelsea i ka trazuar ujërat kur në vetëm poak minuta shtesë kundër Manchester City rrëmbeu penalltinë me të cilën londinezët barazuan me kampionët në fuqi të Europës. Ndoshta edhe me aq minuta, Broja mund të ishte vendimtar. E ndoshta është, por Broja ka saktësuar se raporti me teknikun Sylvinho është i mirë dhe se dëmtimi e ka mbajtur larg kombëtares. Më qartë se kaq…
MESAZHI I ARMANDO BROJËS
“Përshëndetje! I gjithë ky lajm i rremë që qarkullon duke thënë se nuk më intereson ekipi Kombëtar dhe se unë dhe menaxheri jemi zënë është gënjeshtër e plotë. Unë e dua Kombëtaren me gjithë zemër. Isha shumë i mërzitur që m’u desh të humbisja 1 vit të Kombëtares për shkak dëmtimi dhe më pëlqen të besoj se unë dhe menaxheri kemi një marrëdhënie shumë të mirë ku mund të flasim lirshëm dhe me respekt me njëri-tjetrin.
Ai ka bërë një punë të mrekullueshme dhe jam personi më i lumtur që shoh Shqipërinë të kualifikohet në Gjermani. Kam shumë respekt për të gjithë stafin dhe lojtarët, si dhe menaxherin. Ai nuk më zgjodhi mua jo sepse u prishëm bashkë, por thjesht sepse u lëndova dhe nuk isha në formë. Nuk kam luajtur asnjë lojë që nga kampi i fundit. Ishallah me fitore nesër. Me respekt, Armando Broja.”