AKTUALITETTOP-NEWS

“Mosmirënjohës!”/ Rama tërbohet me krerët e bashkive, Zotkaj dhe Mema dalin nga mbledhja

Kanë dale detaje të reja nga mbledhja mbi 4-orëshe që kryeministri Edi Rama zhvilloi në Kuç të Vlorës me krerët e disa prej bashkive. Mediat raportojnë se gjatë mbledhjes Rama ka debatuar me kryetarët e bashkive të Selenicës dhe Divjakës, Nertil Bello dhe Josif Gorrea. Këta dy të fundit kanë kundërshtuar Ramën dhe Arbjan Maznikun për shkrirjen e bashkive. 

Bello e Gorrea u kanë qëndruar argumenteve të tyre kundër shkrirjes së bashkive duke përmendur Peqinin, Vaun e Dejës dhe Roskocecin që u lanë sërish bashki më vete si shembuj. Nga ana e tij Kryeministri ka pretenduar se kryetarët e këtyre bashkive po nxisin komunitetet e atyre zonave kundër reformës territoriale. 
Rama është përplasur ashpër edhe me kryetaren e Bashkisë së Dimalit, Juliana Memaj. Me ironi, Rama i është drejtuar, duke i thënë “ju udhëheqësit e mëdhenj”. Mema i është përgjigjur se ata janë bërë si punëtorë komunaleje.

“Ç’udhëheqës zeza! Ne jemi bërë si punëtorë komunaleje,” mësohet të ketë thënë Juliana Memaj. Fjalia e kryebashkiakes e ka acaruar Ramën duke i kërkuar asaj të dalë nga mbledhja.

Takimi është zhvilluar me tone të ashpra edhe me kryetarin e Bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotkaj. Rama i ka thënë Zotkajt se ai nuk duhet të ishte fare në takim. Kryeministri ka përmendur edhe djegien e teserave, për të cilat ka thënë se ishte një akt paturpësie.

“Ti nuk duhet të ishe fare këtu. Ajo që bëri Poliçiani me djegien e kartave ishte një akt paturpësie” – i ka thënë Rama Zotkajt.

Zotkaj i cili edhe publikisht ka qenë kundër shkrirjes së bashkisë së Poliçanit, i është përgjigjur Ramës, duke i thënë se në ka një mosmirënjohje është ajo e Partia Socialiste.

“Komuniteti iu përgjigj veprimit mosmirënjohës të PS-së dhe Kryeministrit. Në ka një mosmirënjohje është ajo e PS,” tha Zotkaj dhe ka dalë nga mbledhja së bashku me Memën e Dimalit. 

Rama ka deklaruar se “kjo është një reformë për Shqipërinë dhe jo një reformë për një bashki apo për një tjetër”. “Reforma do të ecë përpara”, mësohet të ketë thënë Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button