
Në një botë ku ëndrrat shpesh zbehen përballë realitetit të vështirë, historia e Hakon Ademit vjen si një frymëzim për çdo të ri shqiptar që guxon të mendojë përtej kufijve.
Hakon Ademi është një aktor dhe model 32-vjeçar me prejardhje nga Peja e Kosovës, por i lindur dhe rritur në Oslo, Norvegji.
Ai tashmë po ndërton karrierën e tij në Hollywood, kryeqendrën e industrisë së filmit, duke u bërë një nga figurat më të spikatura shqiptare në diasporë.
Në një intervistë ekskluzive për KosovaNews, Hakon rrëfen historinë e tij të jetës, përballjet, sakrificat dhe sukseset që e kanë bërë atë njeriun që është sot.

Dashuria për artin: “Gjithçka nisi me një shfaqje Krishtlindjeje”
Hakoni tregon se pasioni për skenën lindi shumë herët, në fëmijërinë e tij në Oslo. “Kur nëna më çoi në një shfaqje për Krishtlindje në moshën katërvjeçare, u dashurova me teatrin. Pas asaj dite, nuk ndalesha së kënduari dhe imituari personazhet në shtëpi,” kujton ai me buzëqeshje.
Por si shumë të rinj të moshës së tij, edhe ai ëndërronte të bëhej futbollist. Sporti ishte pjesë e përditshmërisë së tij dhe ishte përkushtuar shumë ndaj tij. Megjithatë, fati dhe pasioni e çuan drejt një drejtimi tjetër.
“E kuptova se aktrimi nuk është vetëm ëndërr, por një profesion që mund të përqafohet seriozisht. Por jo pa sakrifica,” thotë ai.

Nga një jetë e rehatshme në Norvegji te fillimi nga zero në Los Anxhelos
Në vitin 2020, Hakon mori një nga vendimet më të mëdha të jetës së tij: të linte gjithçka pas në Norvegji – punën e qëndrueshme, shtëpinë e vet dhe një BMW të re – për të ndjekur ëndrrën amerikane. U regjistrua në New York Film Academy në Los Anxhelos, vendosi të investonte gjithçka kishte në shkollim dhe në karrierën si aktor profesionist.
Por asgjë nuk shkoi siç e kishte menduar. Pandemia globale e COVID-19 ndaloi gjithçka. Ai priti për një vit derisa të mund të udhëtonte në SHBA. Më 5 gusht 2021, mbërriti në LAX me vetëm dy valixhe dhe një zemër të mbushur me shpresë.

Fatkeqësisht, vetëm dy muaj më pas, pësoi një aksident të rëndë me motor, që e detyroi të qëndrojë në spital për një kohë të gjatë. Ishte një goditje e madhe fizike dhe emocionale, por Hakon nuk u dorëzua. “Fokusi im ishte një: të shërohem dhe të realizoj ëndrrën time,” thotë ai.
Ai vazhdoi studimet me përkushtim të jashtëzakonshëm, dhe më pas e përfundoi akademinë me nderime, duke fituar diplomën në aktrim për film.

Rrugëtimi artistik: Nga personazhe komike te roli i Cristiano Ronaldos
Sot, Hakoni jeton dhe punon në Hollywood, ku luan role të ndryshme në filma, seriale dhe projekte të mëdha e të vogla. Ai është bërë i njohur për publikun ndërkombëtar për interpretimin e Cristiano Ronaldos në videot e youtuberëve të njohur si Topper Guild dhe Zhong, të cilët kanë mbi 50 milionë ndjekës.

Po ashtu, ai ka marrë role të shumta si personazhe mafiozë, kriminelë apo karaktere komike, dhe ka ndërtuar një identitet të fuqishëm si aktor me fizikun dhe karizmën e tij. “Roli më i dashur për mua, përveç Ronaldos, janë karakteret qesharake – ata pak të hutuar apo të çuditshëm. Janë shumë argëtues për t’u luajtur,” shprehet ai.
Përveç aktrimit, Hakon është edhe model i angazhuar për brende të ndryshme, sidomos në industrinë e fitnesit, për shkak të përkushtimit të tij ndaj një jete të shëndetshme.

Kosova në zemër – gjithmonë
Pavarësisht suksesit ndërkombëtar, Hakon nuk harron asnjëherë rrënjët. Ai shprehet me krenari për prejardhjen e tij nga Peja, dhe për faktin që përfaqëson Kosovën në çdo projekt që realizon.

“Mua më vjen mirë kur dëgjoj dikë që thotë ‘ai është shqiptar’. Ndihem krenar që mund të jem një pasqyrë pozitive për vendin tim. Kosova ka shumë potencial, dhe e ndjej si detyrë ta tregoj këtë në botë,” thotë ai.
Ai gjithashtu ka kontribuar me donacione për familjet në nevojë në Kosovë dhe planifikon që në të ardhmen, pjesë e fitimeve të tij të shkojnë për bamirësi.

Mesazh për të rinjtë shqiptarë
Në përmbyllje të intervistës për KosovaNews, Hakoni jep një mesazh të fuqishëm për të gjithë të rinjtë shqiptarë që ëndërrojnë përtej kufijve:
“Mos dëgjoni ata që ju thonë që nuk ja vleni. Nëse unë, një djalë i thjeshtë nga një familje shqiptare në Norvegji, me rrënjë në Pejë, kam arritur të jetoj ëndrrën time në Hollywood – atëherë gjithçka është e mundur. Besoni, sakrifikoni dhe kurrë mos u dorëzoni.”

Përgatiti: Alban Begolli /KosovaNews