
Po shfaqen prova inkurajuese për parandalimin e kancerit të zorrëve, falë një ndryshimi të thjeshtë dhe të arritshëm në dietë, konsumimi i përditshëm i qumështit.
Një studim i përbashkët nga Universiteti i Oksfordit dhe organizata Cancer Research UK zbuloi se shtimi i një gote qumështi në ditë në regjimin ushqimor mund të ulë rrezikun për kancer të zorrës së trashë me rreth 17%.
Gjetjet u komentuan nga profesor Justin Stebbing, ekspert i Shkencave Biomjekësore në Universitetin Anglia Ruskin, i cili theksoi rëndësinë e tyre në këshillimin e pacientëve:
“Si onkolog, unë i këshilloj gjithnjë pacientët e mi mbi ndikimin që dieta dhe stili i jetesës kanë në shëndet, përfshirë rrezikun e zhvillimit të kancerit. Ky studim, ndër më të mëdhenjtë deri tani mbi lidhjen mes ushqimit dhe sëmundjeve, sjell dëshmi të reja se ndryshime të vogla dhe të përballueshme në dietë mund të ndihmojnë në uljen e këtij rreziku.”
Studimi zbuloi se konsumimi i 244 gramë qumësht në ditë, afërsisht rreth një gotë e madhe, shoqërohej me një zvogëlim prej 17% të rrezikut për zhvillimin e kancerit të zorrës së trashë. Efekti pozitiv u vu re si te qumështi i plotë, ashtu edhe te ai gjysmë i skremuar dhe i skremuar.
Rëndësia e këtij zbulimi qëndron edhe në faktin se efekti mbrojtës ishte i pavarur nga faktorë të tjerë të dietës apo stilit të jetesës. Pra, përfitimet nuk rrjedhin thjesht nga zëvendësimi i ushqimeve të pashëndetshme me qumësht, por nga vetitë e tij specifike.
Faktorët që rrisin rrezikun
Nga ana tjetër, studimi vuri në dukje se:
-Pirja e 20 gramë alkooli shtesë në ditë, ekuivalente me një gotë të madhe vere, lidhej me një rritje 15% të rrezikut për kancer të zorrëve.
-Konsumimi i më shumë se 30 gramë mishi të kuq dhe të përpunuar në ditë lidhej me një rritje prej 8% të rrezikut.
Pse ndikon pozitivisht qumështi?
Qumështi është i pasur me kalcium, një mineral që mund të ndihmojë në bllokimin e substancave potencialisht kancerogjene në zorrë dhe në nxitjen e vdekjes së qelizave të dëmtuara. Gjithashtu, shumë produkte qumështi janë të pasuruara me vitaminë D, e cila ka treguar veti antitumorale dhe ndihmon në rregullimin e rritjes së qelizave.
Përveç kësaj, laktoza në qumësht mund të stimulojë rritjen e baktereve të dobishme në zorrë, që prodhojnë acid butirik, një substancë me efekte anti-inflamatore dhe antikancerogjene.
Qumështi përmban gjithashtu acid linoleik të konjuguar (CLA), një acid yndyror që është lidhur me efekte të mundshme antikancerogjene në disa studime laboratorike.
Përfundimi: një ndryshim i vogël me ndikim të madh
“Zbulimi se një rritje relativisht modeste e konsumit të përditshëm të qumështit mund të ulë ndjeshëm rrezikun e kancerit të zorrëve është veçanërisht inkurajues,” tha profesor Stebbing për The Conversation.
“Ky është një shembull i fuqishëm se si zgjedhjet e përditshme ushqimore mund të kenë ndikim real në shëndetin publik dhe individual. Ndërsa kërkimi shkencor mbi lidhjen mes dietës dhe sëmundjeve vazhdon, studime si ky nënvizojnë rolin thelbësor të ushqimit në parandalimin e sëmundjeve të rënda.”