Nga Odise Plaku - Një zë që ngre në këmbë spektatorin italian
Qyteti i Ballshit ku kam kaluar shumë vite të jetës sime, mbase ka qenë i vogël si numër banorësh, por ka pasur një jetë artistike shumë të larmishme. Kemi pasur fatin e mirë që një pallat kulture të bëhej qendër e artit dhe kulturës për të gjithë grupmoshat.
Kështu, punonjësit e Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës kishin grupin e tyre kulturor me një aktivitet të larmishëm. Fshatrat kishin grupet e tyre popullore, por edhe ne, më të vegjlit kishim hapësirat tona në këtë mjedis kulture. Madje, ne kishin fatin e madh që qytetin ynë mbante në gjirin e tij një nga emrat e mëdhenj të muzikës shqiptare, kompozitorin, dirigjentin, orkestruesin, instrumentistin e talentuar dhe të paharruarin Vakthi Sheme.
Në sajë të punës së tij jeta kulturore është ngritur në nivele të larta, sa nuk besoj se do ta kishin qytet e tjera, krahasuar me tonin.
Në koncertet që organizoheshin kemi pasur shumë emra që duartrokiteshin nxehtësisht nga spektatori i qytetit. Pas viteve 1990 në skenë do të përcilleshin tingujt e këngëve të huaja sa italiane, greke, angleze që shoqëroheshin nga orkestra e pallatit e ngritur po me djersën dhe mundin e të madhit Vakthi Sheme. E mes zërave të skenës ballshiote do të spikaste ai i shoqes sonë të fëmijërisë Meli Hajdëraj, e cila me mrekullinë e zërit të saj do të korrte kurdoherë suksese në konkurrimet skenike duke e bërë të pamundur marrjen e trofeut të vendit të parë, nëse ajo do të ishte konkurrente. Një nga interpretimet e saj të mrekullueshme ka mbetur në kujtesën time është ai i këngës “ Nuk e harroj” që në festivalin e 26-të të Këngës në RTSH, në vitin 1987, u këndua nga motrat Libohova.
Talenti mbetet talent dhe të dyja së bashku si motrat Hajdëraj do të ngrinin sallën në këmbë nga interpretimi i tyre dinjitoz.
Pas viteve 1990 ashtu si të gjithë shqiptarët dhe shoqja ime shtegëtoi në emigrim, por dorë nga kënga nuk hoqi kurrë. Sot nëse do të ndiqni faqen e saj në rrjetet sociale do të mahniteni nga aktiviteti i grupit të saj muzikor në çdo qytet të Italisë, kur spektatori italian dhe shqiptar do t’i falin sërish duartrokitjet.
Meli ka mbetur ajo vajzë e sinqertë që të mrekullon me dashurinë dhe mirësinë që të fal në aspektin njerëzor, por mbi të gjitha ajo dijë të bëjë për vete me zërin e saj të mrekullueshëm. Në çdo skenë të madhe apo të vogël, në salla apo në sheshe, spektatori do të ketë mirësinë të shijojë muzikën e grupit dhe zërin e Melit. Ajo paraqitet me identitetin e pamohueshëm si një shqiptare e rritur me kulturë dhe edukatë nga toka e saj, nga qyteti i saj i dashur, Ballshi.
Me artin e saj Meli di të bëjë së bashku shqiptarët e emigruar, duke mos alternuar modernen me këngët e bukura shqiptare. Madje ajo do të jetë e pranishme dhe në faqet e shtypit italian për aktivitetin e saj. E larmishme jeta e saj artistike, por peng dhe dëshira e saj është mbajtja e një koncerti në qytetin e dashur të Ballshit. Dëshirë që mbetet dëshirë, pasi ajo nuk e sheh vetëm për vete, por për të gjithë emrat që janë rritur dhe kanë dhënë e vazhdojnë të japin ndihmesë në lartësimin e artit dhe kulturës kombëtare shqiptare.
Besoj ky shkrim do të lexohet dhe nga ndonjë anëtar i pushtetit vendor në Ballsh për të marrë ngacmime për të na mbledhur sërish në atë sallë me arritjet dhe dëshirat e mira për të gjithë qytetarët e tij.