Thursday, November 7, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeKRYESORENuk keni parë gjë akoma…

Nuk keni parë gjë akoma…

Fejton: Thoma Goga
“Intervistë me Skënderbeun…”

Heroi ynë kombëtar, i shqetësuar për fatet e popullit dhe sidomos nga tensioni i lartë politik, la qetësinë e tij shekullore dhe u ngrit. Sapo mbërriti në sheshin që mban emrin e tij, u gjend i rrethuar nga gazetarët.
– Heu, sa paska ndryshu Tirana, bre! Tamam si Stambolli…
– Një gazetare: A të lodhi rruga, o i madhi Skënderbe?
– Skënderbeu: Eh, moj çikë. Rruga e gjatë, leshi i gjatë dhe palla e gjatë të lodhin… Si ta thonë emrin, oj cucë?
– Gazetarja: Donikë
– Skënderbeu: Heu bre, Donikë lashë e Donikë gjeta, Shqipni moj tungjatjeta.
– Një gazetare: Pse je mundu zotrote? Cila është axhenda juaj?
– Skënderbeu: Eh moj cikë. Erdha për Shën Valentinin që e kalova te Shën Gjergji me Donikën teme. Pastaj shkova të takoja atë “të gjatin”. Më doli një cucë e më tha se ishte e bija Spiros dhe mbesa e Palit. Më tregoi se kisha ardhur kot, pasi “ne kena Skënderbeun tonë”. Heu, thashë, a ban me e taku? Jo, se është i xanun me një delegacion turk. Desh të nxirrja pallën e t’i palloja të gjithë, po ndërrova mendje. Ika i gëzum që paskam lënë pas një kopjen time, “Skënderbeun” e qeverisë.
– Një gazetare: Diçka më shumë nga axhenda juaj, o i madhi Skënderbe.
– Skënderbeu: Së pari do të bëj vaksinën që të jap shembullin i pari.
– Një gazetare: I pari e bëri ai “Skënderbeu” tjetër.
– Skënderbeu: Heu, bre. Ma paska kalu mue. Nejse. E tash me porosi të Erdoganit do të ndjek punimet te spitali Fierit. Bën vaki se nuk mbarojnë para zgjedhjeve, kam me i pallu të gjithë me pallën teme. Më pas do të votoj, se më duket akoma e kam emrin në listat e zgjedhjeve. Do mbikqyr zgjedhjet; KQZ, KLGJ, KZAZ, KQPPSH, BRPSH. Bën vaki ta dredhi ndonji, do t’ia pres dorën me pallën time. Dhe të hënën, një ditë pas votimeve, do të shpallim rezultatet siç bëri Kosova.
– Një gazetare: Vërtet të hënën?
– Skënderbeu: Po, po. Te sheshi më parë do të numërojmë sa vota të blera dhe sa duar të prera.
– Një gazetare: Po fituesi kur do shpallet?
– Skënderbeu: E hënë do jetë. Po se cila e hënë, këtë s’e them dot. Se viti ka plot 52 copë të hëna… Po ama, do jetë e hënë.
– Një gazetare: Dhe këtu mbaron misioni juaj?
– Skënderbeu: Jo. Do privatizoj kalanë e Krujës e aty do të baj dhe një herë dasmën me Donikën teme. Kur rimartohen ca çiliminj nga 2-3 herë, po unë?! Thonë se janë ndalu dasmat për këtë koronavirusin e flamosur. Po kalaja e Krujës është e madhe. I xën 1000 dasmorë. E tash ma bani kabull se duhet me ik. Fillon ora policore e kush merret me policët. Tash që janë shtuar “Skënderbejt”, nuk e marrin vesh kush është i vërteti e ta rrasin gjobën. Mirëmbetshi, e selam gjithë shqiptarisë!
(TH.G.)

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME