Ilir Meta, tashmë në krye të Partisë së Lirisë, deklaroi sot në konferencën e parë për mediat se “mendoj se tani duhet të fillojmë menjëhërë nga puna, sepse tani nuk e kemi më kostumin që na sillte edhe atë pyetjen “a i lejohet një Presidenti të flasë kështu” se padyshim, “i lejohej” një parlamenti t’i vidhte anëtarët e Gjykatës Kushtetuese një Presidenti dhe popullit dhe të shkonte të betohej tek noterja e Lanës…
Kështu që jemi “pa xhaketë” deri në ditën e triumfit jo të Partisë së Lirisë, por të popullit patriot pa dallime politike.
Armiku kryesor sot i lirisë është korrupsioni, korrupsioni, korrupsioni dhe është pikërisht ky korrupsion që e ka rënduar sot situatën e çdo qytetari shqiptar dhe po shpërbën familjen dhe po i përzë të rinjtë nga vendi ynë.
Situata e rëndë ekonomike është një realitet konkret dhe i pashmangshëm, një shqetësim shumë i madh për të gjithë shqiptarët, që sot ndihen më të rrezikuar se kurrë në përballimin e jetës së tyre të përditshme për shkak të pasojave tepër serioze të krizës ekonomike që ka pllakosur vendi.
Barometri i Ballkanit në anketën e vitit 2022 ka konstatuar se 59% e qytetarëve në Shqipëri kanë problemin më madhor, situatën ekonomike.
Diferenca ëshë e ndjeshme në raport me vendet e tjera të rajonit. Konkretisht, sipas të dhënave të kësaj ankete situata ekonomike është problem madhor për 40% të qytetarëve të Kosovës, 41% të boshnjakëve, 41% të malazezëve dhe 46% të serbëve.
Është fakt se periudha e vështirë e pandemisë, si dhe rritja stratosferike e çmimeve, me të cilën qytetarët shqiptarë po përballen çdo ditë, nuk janë shoqëruar me asnjë mbështetje nga ana e Qeverisë.
E gjithë barra shumë e rëndë e këtyre dy ngjarjeve me efekt ekonomik të jashtëzakonshëm për familjet e thjeshta shqiptare, ka rënë mbi qytetarët që varfërohen çdo ditë dhe më shumë.”