Përplasja në Kushtetuese/ Qeveria në ankth për pezullimin e Ballukut

Një ditë para se Gjykata Kushtetuese të hapë shqyrtimin paraprak të çështjes Balluku, tensioni politik është ndezur dukshëm. Kryeministri Edi Rama është angazhuar në një mbrojtje të pazakontë të zv.kryeministres së pezulluar Belinda Balluku, ndërsa vija mes presionit politik dhe qëndrimit si palë në proces është gjithnjë e më e vagullt.
Të dielën, në podcast-in e tij, Rama artikuloi mbrojtjen e Ballukut duke u mbështetur në qëndrimet e Komisionit të Venecias dhe Gjykatës Europiane e të Drejtave të Njeriut, qw sipas tij do të ishin tërësisht kundër çdo ndërhyrjeje të gjykatave në përbërjen e ekzekutivit. “Qëndrimi i Venecias është shumë i prerë,” deklaroi Rama, duke cituar se “Gjykatat NUK duhet të pezullojnë anëtarë të qeverisë, sepse… cënojnë balancën e pushteteve”.
Sipas tij, Venecia paralajmëron për “judicial overreach”, ndërsa ministri nuk është një “zyrtar administrativ, por autoritet politik”. Rama shkon edhe më tej duke thënë se Strasburgu “nuk është ndeshur kurrë me këtë absurd” dhe se “nuk ka dhënë asnjëherë, asnjë vendim specifik ku të përmendet fjala ‘pezullim i ministrit nga gjykata” për arsyen e thjeshtë sipas tij se “në asnjë shtet europian nuk ka ndodhur ndonjëherë
Të hënën, në një dalje live në rrjetet sociale, ai vijoi me një variant më teorik të së njëjtës tezë. Rama deklaroi se ishte vetë ai që ka ankimuar pezullimin në Gjykatën Kushtetuese “jo si Edi Rama, por si kryeministër”, jo për Belinda Ballukun, por për të mbrojtur “parimin e moscenimit të balancës mes pushteteve… për të drejtën ekskluzive të kryeministrit dhe të parlamentit për përbërjen e qeverisë”. Ai insistoi se rasti shqiptar është unikal, duke përsëritur: “Nuk ka një rast të vetëm, një të vetëm në Europë, por edhe në botë po të duan, që u pezulloka anëtari i qeverisë me vendim gjykate”. Në vijim, Rama e cilësoi pezullimin si “absurd totalisht si koncept”, sepse de jure quhet pezullim, “por de facto është shkarkim”, duke paralizuar autoritetin vendimmarrës të ministrit.
Por një nga pikëpyetjet e qëndrimit të tij shfaqet pikërisht këtu: nëse “nuk ka pasur kurrë rast” të tillë, mbi ç’bazë konkrete Venecia dhe Strasburgu paskan formuluar interpretimet që Rama u atribuon? Kryeministri nuk sjell asnjë citim, asnjë datë, asnjë çështje konkrete, por vetëm sofizma që tingëllojnë si presion ndaj gjykatësve të Kushtetueses.

Jo më kot, Sali Berisha akuzoi sot Ramën për “presion të jashtëzakonshëm mbi Gjykatën Kushtetuese” dhe për mashtrim publik. Ai tha se kryeministri “mashtroi shqiptarët dhe Europën”, duke i atribuuar Venecias gjëra “që ai kurrë nuk i ka thënë”. Berisha solli shembuj të pezullimeve, shkarkimeve dhe dorëheqjeve të ministrave në vende europiane, duke theksuar se “antidemokratike do të ishte mosveprimi ndaj një superskandali të Ballukut”. Sipas tij, argumenti i Ramës për paprekshmërinë e ekzekutivit “do të thotë që për ekzekutivin nuk ekziston ligji”.
Në vijim, Berisha theksoi: “Venecia nuk ka asnjë gjykim për ndonjë ministër”, duke shpjeguar se kjo nuk ndodh sepse ministrat qenkan të paprekshëm, por sepse në rastet kur akuzohen për korrupsion, ata “kanë dhënë dorëheqjen”, jo kanë kërkuar shpëtim në komision. Ai e akuzoi Ramën se është “i tmerruar deri në palcë nga vjedhjet që ka bërë bashkë me Ballukun” dhe paralajmëroi padi për mashtrim publik dhe pengim të drejtësisë.
Ndërkohë, Gazment Bardhi shkoi edhe më tej, duke sjellë për herë të parë një referencë juridike mbi çështjen: Opinionin CDL-AD(2013)001 të Komisionit të Venecias. Sipas Bardhit, Edi Rama “gënjen sepse e kundërta e asaj që thotë është e vërtetë”. Në opinionin e përmendur, thotë ai, Venecia ka konkluduar se ministrat kanë më pak imunitet se deputetët dhe kreu i shtetit; se “rregullat speciale nuk duhet të interpretohen në mënyrë që t’u japin ministrave imunitet të gjerë”; dhe se prokuroria duhet të jetë e lirë të veprojë kur ka dyshime të forta. Bardhi u referohet edhe opinionit tjetër të Venecias për Kosovën (CDL-AD(2020)008), ku komisioni e quan pezullimin “masë të ligjshme, efektive, të mbështetur nga standardet ndërkombëtare”, duke përfshirë ministra dhe anëtarë qeverie si subjekt të pezullimit.
Ndërsa dy narrativat përplasen me njëra-tjetrën, Gjykata Kushtetuese hap të martën një nga seancat më të ngarkuara politikisht të viteve të fundit. Gjykatësit janë nën presion të fortë publik, por edhe një gjë po bëhet gjithnjë e më e qartë: asnjëherë më parë pezullimi i një ministri nuk ka provokuar kaq shumë ankth në qeverinë e Tiranës./Lapsi.al











