Përse duhet të kundërshtojmë ligjin ‘Chat Control’?

Më datë 14 Tetor 2025, Parlamenti Europian do të mbajë një votim për një ligj i cili është njohur si “Chat Control”.
Por, çfarë është realisht “Chat Control”?
Në vitin 2022, Eurodeputetja e majtë Ylva Johansson ka propozuar pranë Komisionit European një rregullore me qëllim parandalimin e abuzimeve seksuale ndaj fëmijëve. Kjo, për shkak të rritjes së rasteve të abuzimeve seksuale ndaj tyre. A priori, kjo nismë duhet duartrokitur sepse po vjen për një të mirë, mbrojtjen e fëmijëve. Por, a jemi të sigurtë që kjo është arsyeja e vërtetë?
Kur ja bëjë këtë pyetje vetes më vjen gjithmonë ndërmend një citim i Machiaveli-t i cili thoshte: “Qëllimi justifikon mjetet”. Në këtë rast mjeti është frika për abuzimin ndaj fëmijëve, ndërsa qëllimi i vërtetë është kontrolli mbi mesazhet që ne dërgojmë. Shkurtimisht, rregullorja apo ligji parashikon se çdo mesazh që ne do të dërgojmë në rrejtet sociale si: Whatsapp, Instagram, Facebook, Telegram etj…do të skanohen dhe kontrollohen së pari nga shteti e më pas do të dërgohen tek marrësi.
Por, që ta bëjmë edhe më të lehtë si do të dukej ky ligj po të kalonte. Le të marrim një rast praktik:
“Është një 16 vjeçare e cila po shkon të blejë rroba për sezonin e verës. Ajo bën disa foto dhe dëshiron t’ja dërgojë mamasë së saj që ajo t’i jap një mendim. Gjatë kohës që ajo foto dërgohet tek mamaja, “Shteti” do ta kontrollojë dhe do të vendosë nëse ajo foto është e përshtatshme apo jo. Nëse nuk e kalon filtrin, atëherë mesazhi do të bllokohet.”
Ky shembull, sado mund të duket në pamje të parë si banal, është një rast i prekshëm dhe i afërt me jetën tonë të përditshme.
Dikush mund të thotë tani: “Shqipëria nuk është në BE, ndaj nuk kemi përse të shqetësohemi”. Më vjen keq që të zhgënjej këtë iluzion. Por, Shqipëria si një vend kandidat, ka detyrimin që të përafrojë legjislacionin e saj me atë të BE-së, dhe herët a vonë, nëse kjo rregullore kalon, do të zbatohet edhe këtu. Dua të rikujtojë gjithashtu se po në vitin 2022, grupi “Homeland Justice” publikoi të dhënat tona personale si: ID, adresë shtëpie, deri tek llogaritë bankare. Imagjinoni tani, po të kenë mundësinë të aksesojnë edhe tek mesazhet tuaja private, apo nëpër fotot tuaja. Dua të përmend këtu edhe një gjyq që po zhvillohet së fundmi në Itali ku është e përfshirë edhe vetë kryeministrja Meloni, nga ku janë përdorur foto të saj për të gjeneruar imazhe +18. Dhe, jo vetëm Meloni, por edhe shumë figura të tjera të politikës italiane dhe europiane. Pra, a jemi të sigurt që kjo rregullore do të parandalojë realisht abuzimin?
Si një nga zërat e Students for Liberty, në nivel kombëtar dhe europian dua të them haptazi që kjo rregullore nuk është mbrojtje, por kërcënim! Po, abuzimi seksual ndaj fëmijëve duhet luftuar fuqishëm, por nuk është zgjidhje kontrolli masiv. Kam dhe një apel për Diasporën tonë: Diskutojeni me miqtë tuaj, shpjegoni rrezikun që u kanoset, kundërshtojeni sa më shumë këtë ligj.
Liria juaj nuk ka çmim!









