Saturday, November 23, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeKRYESOREPirja e hashashit shkakton uri të madhe

Pirja e hashashit shkakton uri të madhe

Pirja e hashashit shkakton uri të madhe. Por si e stimulon kanabisi oreksin dhe pse ia vlen ta dish një gjë të tillë, është zbuluar kohët e fundit në një studim bërë në SHBA. Shkencëtarët e Universitetit shtetëror në Uashington kanë vendosur dy lloje të ndryshme minjsh, minj të vegjël shtëpie dhe minj të mëdhenj fushe, në ambient të mbushur me tym kanabisi për të simuluar rajone të caktuara të trurit që kanë lidhje me oreksin. Ata kanë vëzhguar sjelljen e minjve në marrjen e ushqimit, si për shembull sa shpesh kanë ngrënë ata.

Zbulime me vlerë

Donald Abrams, ekspert i pavarur i pyetur nga Deutsche Welle, i cili punon si onkologjist në Universitetin e Kalifornisë në San Francisko tha se zbulimet e bëra janë me vlerë dhe u shtohen studimeve ekzistuese për përdorimin mjekësor të kanabisit. “Minjtë nuk janë njerëz,” tha Abrams. “Por si dikush që ka shkuar në universitet në vitet 60-të, siç jam unë, e di se kanabisi shkakton uri.”

Dhe kjo mund të përdoret për të ndihmuar njerëzit që janë duke u trajtuar kundër sëmundjes së kancerit, trajtim që shkakton mungesë oreksi, në një kohë kur të sëmurët duhet të hanë për të ruajtur fuqitë. Sepse kanabisi aktivizon neurone të caktuara të oreksit. Në studimin e tyre shkencëtarët kanë ekspozuar minj të llojeve të ndryshme, ndaj një sasie të pandryshuar tymi kanabisi, ngjashëm me sasinë e kanabisit që njerëzit pijnë mesatarisht.

Së pari ata vëzhguan sjelljen e minjve në lidhje me marrjen e ushqimit dhe vërejtën se minjtë kërkonin gjithnjë e më shpesh ushqim, pasi ishin ekspozuar ndaj tymit të kanabisit. Pastaj ata panë aktivitetet neuronale të minjve dhe vërejtën se kanabisi aktivizon një grup të vogël të caktuar neuronesh në hypotalamusin mediobazik. Dihet se hypotalamusi kontrollon oreksin si dhe funksione të tjera, si temperaturen e trupit dhe humorin.

Por kur aktivizohen këto neurone specifike, krijohet një rrjedhje sinjalesh neurale që kanë lidhje me motivimin dhe lëvizjen. Tek njerëzit kjo bën që ata të çohen nga divani dhe të kërkojnë në sirtarët e kuzhinës për biskota dhe karamele. Por edhe tek minjtë e përdorur në këtë studim nuk ndodhi ndryshe, ata po ashtu shkuan të kërkonin ushqim.

Si ndikojnë tek oreksi lëndët kimike të kanabisit?

Studiuesit kanë vëzhguar ndërveprimet midis lëndëve kimike të kanabisit dhe aktivitetet e njohura të trurit, që kanë lidhje me oreksin dhe marrjen e ushqimit. Kanabisi lëshon lëndë kimike të njohura si kanabinoide: delta-9-tetrahidrokanabinol (THC) dhe kanabidiol (CBD). THC dhe CBD ngacmojnë neuronet e hipotalamusit të cilat lëshojnë një proteinë që quhet receptori kanabinoid 1 (CB1 receptor). Receptori CB1 dihet që shton oreksin dhe stimulon marrjen e ushqimit. Por në studimin e ri u pa se sapo miu i përdorur në studim pa ushqimin, hipotalamusi aktivizoi dukshëm shumë më tepër qeliza me receptorë CB1. Ata e provuan këtë gjë duke bllokuar disa neurone relevante tek disa prej minjve dhe vërejtën se kanabisi e nxiti oreksin shumë më pak.

Kanabis medicinal për të stimuluar oreksin

Shkencëtarët kanë studiuar për disa kohë veprimin e kanabisit për stimulimin e oreksit, me shpresën e përdorimit të kanabisit medicinal për të ndihmuar nxitjen e oreksit tek njerëzit që janë duke bërë kimioterapi ose tek ata që vuajnë nga anoreksia. Për të imituar efektet e kanabisit janë krijuar madje droga sintetike. Sidoqoftë në disa studime, për shembull për trajtimin e anoreksisë, drogat nuk kanë funksionuar si duhet.

Michelle Sexton, studiues në Universitetin e Kalifornisë në San Diego, SHBA, tha se kjo mund të ketë ndodhur sepse drograt janë marrë nga goja, gjë që mund të mos jetë aq efektive sa pirja e kanabisit që digjet dhe lëshon tym. Por Sexton i tha Deutsche Welles se “provat për efektet e kanabisit që tymoset për shtimin e oreksit nuk janë studiuar sa duhet”.

Kanabisi vazhdon të mbetet substancë e ndaluar në SHBA dhe vende të tjera, përfshirë Gjermaninë. Ai nuk pranohet për përdorim mjekësor, as në shtetet amerikane si Kalifornia apo Kolorado, ku kanabisi mund të blihet në dyqan.

“Kanabisi është i vetmi ilaç që përdoret kundër të vjellave dhe që shton oreksin. Ai po ashtu është i mirë për kundër dhimbjeve, pagjumësisë, nervozitetit dhe depresionit, është diçka që unë vazhdimisht rekomandoj ta përdorin njerëzit që janë të sëmurë me kancer, ose pasi janë shëruar nga kanceri,” thotë Abrams, i cili tha për Deutsche Wellen se ka 40 vjet që ua rekomandon kanabisin pacentëve të tij të sëmurë me kancer, por që nuk lejohet të japë recetë për marrjen e kanabisit. /DW/

POSTIME TË NGJASHME

Mjalt apo sheqer?!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME