Monday, November 4, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËPresidenti Meta përshëndet 110-vjetorin e Federatës Pan-Shqiptare “VATRA” në ShBA

Presidenti Meta përshëndet 110-vjetorin e Federatës Pan-Shqiptare “VATRA” në ShBA

Presidenti Meta përshëndet 110-vjetorin e Federatës Pan-Shqiptare “VATRA” dhe mikpritet ngrohtësisht nga qindra bashkëatdhetarë: Secili shqiptar i Amerikës meriton mirënjohje të veçantë për kontributin e dhënë për çështjen shqiptare.

13 qershor 2022

Nju-Jork, SHBA

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta përshëndeti festimet e 110-vjetorit të themelimit të Federatës Pan-Shqiptare “VATRA”, të organizuara në Nju-Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

I pritur ngrohtësisht nga kryetari i “VATRA”-s, zoti Elmi Berisha dhe qindra bashkëatdhetarë vatranë, nga Kryetari i Komunës së Prishtinë, zoti Përparim Rama, zoti Mark Gjonaj – ish-këshilltar në Bashkinë e Nju-Jorkut, zoti Richie Torres – përfaqësues i çështjeve shqiptare në Kongresin amerikan, Prof. i “Columbia University” David Philips, krerët e të gjitha komuniteteve fetare të shqiptarëve në Amerikë, si dhe shumë personalitete të tjera, Kreu i Shtetit përshëndeti si i Ftuari i Nderit qindra vatranë dhe vatrane të diasporës së hershme dhe të re shqiptare në SHBA.

Fjala e Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. ILIR META në me rastin 110-vjetorit të Federatës Pan-Shqiptare “VATRA” në Nju-Jork:

Motra dhe vëllezër,

Jam shumë i lumtur të jem me ju për të festuar 110-vjetorin e themelimit të “Vatra”.

“Vatra” përbën padyshim historinë më të suksesshme të organizimit të shqiptarëve jashtë vendit përgjatë më shumë se një shekulli dhe një dekade.

“Vatra” është e rrënjosur fort në kujtesën historike shtetformuese të shqiptarëve.

Federata “Vatra” do të bëhej emblema e çdo patrioti që aspironte një Shqipëri të lirë e të pavarur.

“Vatra”, që ditën e parë u bë promotore e lëvizjes kombëtare dhe e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

Dy viganët e “Vatrës”, Fan Noli dhe Faik Konica, si dhe shumë figura të tjera të kombit tonë kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën tonë historike përmes veprimtarisë patriotike, kombëtare, diplomatike, dhe publicistikës së tyre.

Roli i “Vatrës” në të gjitha konferencat ndërkombëtare ku diskutohej fati i shtetit shqiptar, ishte kyç, ashtu siç ishte dhe gjatë konferencës së Paqes në Paris, në vitin 1919, ku pati ndikim të jashtëzakonshëm në ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit të Shqipërisë, duke ndikuar edhe në vendimet e delegacionit amerikan të kryesuar nga Presidenti Woodrow Wilson.

Mikun e madh të Shqipërisë, Presidentin Wilson, Noli e vlerësoi si një emër që ka fituar mirënjohjen e gjithë zemrave shqiptare, ndërsa Konica thoshte se  gjithë shqiptarët duhet t`i ngrenë Presidentit Wilson, një monument të pavdekshëm në zemrat e tyre.

“Vatra” edhe gjatë kohës së diktaturës komuniste në Shqipëri, ishte vatra e shqiptarëve ku diskutohej për fatet e kombit, për lirimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, por edhe për lirinë e shqiptarëve në ish-Jugosllavi e sidomos për Kosovën.

Sot, 110 vite nga themelimi i “Vatrës”, pozita e kombit tonë është më e mirë se ndonjëherë më parë. Për këtë ka meritat dhe kontributet e patjetërsueshme edhe “Vatra”.

Shqipëria është shtet anëtar i NATO-s, drejton sot Këshillin e Sigurimit në Kombet e Bashkuara dhe punon për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Kosova është e lirë dhe shtet i pavarur, në një rrugëtim të pakthyeshëm drejt integrimeve euro-atlantike.

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, janë një faktor kyç i stabilitetit dhe integrimit euro-atlantik.

Shqiptarët e Malit të Zi po realizojnë me sukses të drejtat e tyre Kushtetuese.

Shqiptarët në Preshevë, Bujanovc dhe në Medvegjën e të madhit Xhim Xhema, po luftojnë me vështirësi, për të siguruar të drejtat që ju takojnë.

Shqiptarët në përgjithësi janë në një pozitë shumë më të mirë dhe kjo është pa asnjë diskutim fal kontributit historik të “Vatrës” dhe vatranëve këto 110 vite.

Të dashur bashkatdhetar jemi sot , për të nderuar kontributin e brezave të tërë për çështjen shqiptare.

Ju keni bërë që miqësia shqiptaro-amerikane të thellohet  dhe keni qenë një faktor kyç, që çështja shqiptare të jetë në axhendën amerikane  në këto 110 vite.

Ju keni mbajtur gjallë ëndrrën tonë për liri, edhe atëherë kur ajo na dhunohej nga regjimi komunist.

Ju keni mbajtur gjallë ëndrrën për liri,  edhe atëherë kur bashkëkombësit tanë u dukej e pashpresë, për shkak të gjenocidit njerëzor.

Ju shqiptarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, keni bërë gjithçka që keni pasur mundësi, që Amerika  mos t’i braktiste shqiptarët dhe të ishte në përkrahjen tonë.

Kur ne, po e gjenim lirin pas errësirë së komunizmit,  ju,  ishit të parët që ndihmuat për të rivendosur lidhjet mes dy vendeve tona, dhe të parët që erdhët për të rindërtuar dhe ringritur Shqipërinë në rrugën e demokracisë.

Kur Kosova ishte në rrezik shfarosje, ju ishit të parët që ngritët zërin për të ndërgjegjësuar administratën Amerikane,  për rrezikun që po i kanosej shqiptarëve.

Dhe ju, nuk u ndalët me kaq, po ndihmuat me qindra e mijëra familje kur ata kishin më  shumë nevojë.

Djemtë tuaj ishin vullnetarë dhe të patrembur në luftë, për të mbrojtur popullin e Kosovës, dhe ishin të parët që investuan për të ringritur Kosovën e shkatërruar nga lufta dhe gjenocidi.

Sot (dje) në këtë ditë të bekuar të çlirimit të Kosovës, ne nderojmë të gjithë ata vullnetarë, që nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ju bashkuan batalionit  ‘Atlantik’-u  dhe  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nderojmë në mënyrë të veçantë, edhe sakrificën më sublimë të tre vëllezërve Bytyçi dhe të gjithë atyre, që nuk kursyen as jetën për lirinë e Kosovës.

Secili ‘vatran’ dhe shqiptar i Amerikës meriton mirënjohje të veçantë për kontributin e dhënë për çështjen  shqiptare.

Të flasësh për kontributin e “Vatrës” dhe të shqiptarëve të Amerikës  është shumë e vështirë, sepse është e pamundur, që më shumë se një shekull dhe një dekadë kontributesh të përditshme  dhe sakrificash të vazhdueshme ta përmbledhësh në një fjalim  prej disa minutash.

Por, misioni i “Vatrës” nuk ka përfunduar, ashtu si kurse edhe sfidat tonë të Shqipërisë, Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve në rajonin tonë.

Prandaj më lejoni t’iu uroj gëzuar 110 vjetorin e krijimit të “Vatrës”.

Gëzuar ditën e çlirimit Kosovës.

Zoti e bekoftë Kombin tonë,

Zoti e bekoftë miqësinë shqiptaro-amerikane!       

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME