Presidentja e Perusë dyfishon rrogën e saj, populli kundër

Presidentja e Perusë, Dina Boluarte, ka nënshkruar një dekret që dyfishon pagën e saj mujore, një vendim që ka shkaktuar reagime të ashpra në një kohë kur vlerësimi i saj publik është vetëm 2%.
Sipas dekretit, paga e Boluarte-s do të rritet në më shumë se 35,500 sole (rreth 8,500 euro) në muaj, ndërkohë që paga minimale në Peru mbetet 1,025 sole (rreth 245 euro).
Ministri i Ekonomisë e justifikoi vendimin duke thënë se rritja u bë për të përputhur pagën presidenciale me atë të krerëve të tjerë të shteteve në rajon.
Por kjo nuk i ka bindur qytetarët, rrjetet sociale janë mbushur me kritika, ku shumë e kanë quajtur Boluarte ‘të shkëputur nga realiteti’ dhe rritjen e pagës së saj ‘të papranueshme’ në kohë krize.
Protestat kundër presidentes janë shtuar, dhe një vizitë e fundit në qytetin Arequipa përfundoi me qytetarë që hodhën vezë dhe gurë në drejtim të makinës së saj.
Dina Boluarte nuk u zgjodh drejtpërdrejt nga populli. Ajo mori postin e presidentes në dhjetor 2022, pasi presidenti i mëparshëm, Pedro Castillo, u rrëzua nga pushteti dhe ajo, si zëvendëspresidente, mori drejtimin e vendit.
Që atëherë, presidenca e saj është përfshirë në disa hetime, përfshirë akuzat për mosdeklarim të dhuratave luksoze, si orët e shtrenjta, si dhe për braktisje të detyrës gjatë një operacioni personal, pa emëruar një president të përkohshëm.
Ajo i ka mohuar të gjitha akuzat, por pakënaqësia popullore ndaj saj vazhdon të rritet. Për shumë peruanë, rritja e pagës së presidentes simbolizon thellimin e shkëputjes mes elitës politike dhe realitetit të qytetarëve të zakonshëm. Protothema