Tuesday, December 3, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËProtesta e 7 korrikut, mesazhe për Ramën dhe Bashën

Protesta e 7 korrikut, mesazhe për Ramën dhe Bashën

Numri i madh i protestuesve që Berisha arriti të nxjerrë në bulevardin Dëshmorët e Kombit, me njerëz që qëndronin nga kryeministria deri afër sheshit Skënderbej ka lëshuar disa sinjale mbi paqartësitë e situatës politike të opozitës në këtë periudhë.

Duket e mbyllur dilema se pas kujt shkon shumica e anëtarësisë së PD-së. Lulzim Bashës i kanë mbetur vetëm pak deputetë. Ndarja tani është në nivelet drejtuese të partisë, sepse protesta konfirmoi edhe një herë se bazën e ka Berisha.

Fakti që Berishës iu përgjigjën në një protestë si kjo në datën 7 Korrik, dëshmon edhe një herë për diferencën e aftësive të organizimit mes tij dhe Bashës. Kjo periudhë, zakonisht, vitet e fundit, e ka gjetur PD me pushime.

Protestës iu bashkuan edhe disa deputetë që deri vonë mbështesnin Lulzim Bashën. Duke pasur të qartë se ish-kryetari nuk qe i ftuar, disa prej ndjekësve të tij gëlltitën akuzat që i kishin bërë dikur Berishës dhe iu bashkuan qytetarëve në bulevard.

Sinjali për ide Ramën ishte i fortë dhe i qartë në protestë. Përveç akuzave për korrupsion dhe plaçkitje, Berisha tregoi se opozita nuk do të jetë më e njëjta kundrejt pushtetit.

Në një mesazh të drejtpërdrejtë të tij, ai tha se me Ramën ishin armiq, një fjalë që bën diferencën me “kundërshtarë” apo “konkurentë” siç jemi mësuar të dëgjojmë rëndom brenda etikës politike.
Duke lënë të kuptohet se koha e kompromisit politik ka marrë fund, Berisha iu drejtua Ramës me këto fjalë:

  • Edi Rama ne të dy sot jemi armiq! Jemi armiq! Po pse jemi armiq? E randë, e hidhur ta them këtë fjalë, por zemra ime fjalë tjetër nuk nxjerr: se ti Edi Rama ke për ideal pushtetin pushtetin dhe vetëm pushtetin!
  • Kurse unë me këta burra, gra, djem dhe vajza kemi për ideal, lirinë lirinë dhe vetëm lirinë!
    Ne jemi armiq Edi Rama, se ti pushtetin e don për të pasuruar veten, për të varfëruar qytetarët, për t’i poshtëruar qytetarët, kurse unë dhe këta që janë këtu lirinë e duam për të bërë të lirë shqiptarët, për t’u kthyer atyre dinjitetin!
  • Edi Rama ne jemi armiq! Ne jemi armiq! Sot ti ia ke mbathur, gabim ke bërë. Sot ke blinduar dyert, gabim ke bërë! Së pari, dua të them se ne nuk veprojmë në pabesi! Kur të të themi “mbathja” do t’ia mbathësh!
  • Së dyti, mos harro o i mjerë se me forcën e idealeve tona të lirisë ne thërrmojmë çdo bunker, ne shpojmë çdo blind, asgjë nuk na ndal ne në përpjekjen tonë për liri. Edi Rama ti je problemi i madh i lirisë së shqiptarëve! Ti je problem i madh i çdo shqiptari se ti qëndron në pushtet me votën e grabitur, me votën e vjedhur, më votën e përgjakur, me votën e blerë, ti pushtetin e plotë monist e vendose duke u rrëmbyer votën shqiptarëve, harrove kështu se me këto akte ke shkelmuar idealet e të gjallëve dhe të vdekurve të këtij vendi” tha Berisha.

Deklarata synon të shënojnë një kthesë në modelin opozitar, të cilit i dha formë për 9 vjet Lulzim Basha dhe ku nuk munguan marrëveshjet politike, megjithatë sjellja politike e Berishës mbetet për t’u parë.

Një sinjal nga kjo protestë e ka marrë edhe një faktor tjetër, që luajti fort për eleminimin politik të Berishës: ambasadorja amerikane Juri Kim.

Mbështetja e gjerë që gëzon sot Berisha brenda radhëve të opozitës ka shpërfillur mesazhe të forta publike të artikuluara nga ambasadorja Kim, pas shpalljes “non grata”.

“Do të ishte një ironi historike por edhe një tragjedi për vendin, jo vetëm për partinë, nëse partia do të hante bar për hir të interesave personale të një njeriu,” u shpreh ambasadorja amerikane një vit më parë në oborrin e Partisë Demokratike. Kjo ishte një ndër deklaratat më agresive të bëra nga një ambasador për jetën e brendshme politike të një partie, por në vend se ta likuidonte Berishën, e riktheu atë edhe një herë në majën e aksionit politik në Shqipëri.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME