Protesta e PD, Sali Berisha: Fundi i Ramës para Gjykatës

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha thotë se protestat e zhvilluara nga opozita kanë treguar forcën dhe qëndrueshmërinë e saj përballë, sipas tij, një regjimi represiv. ”Ne u përballëm si të pamposhtur me regjimin, u përballëm me ujin e helmuar, gazin lotsjellës, shkopinjtë e gomës dhe plumbat e gomës, por fituam”, shpreh ai.
Në fjalën e tij në protestën Kombëtare të PD përballë Kryeministrisë, Berisha u ndal edhe te pjesëmarrja e ulët në një protestë të thirrur nga shoqëria civile kundër rritjes së çmimit të naftës, duke e lidhur këtë me klimën e frikës në vend. ”Absolutisht çdo shqiptar është prekur nga rritja e çmimit të naftës, por pse nuk pati pjesëmarrje? Përgjigja është frika”.
Sipas tij, qytetarët ndihen të kërcënuar për vendin e punës dhe jetesën, çka i pengon të reagojnë publikisht. ”Edi Rama me sistemin e patronazhistëve, me presionin mbi punonjësit, me arrestimin e dhjetëra mijëra qytetarëve për faturat e dritave e ujit, ka instaluar frikën tek shqiptarët”.
Ai theksoi se Partia Demokratike mbetet forca e vetme që përfaqëson guximin dhe rezistencën ndaj pushtetit. ”Në Shqipëri ka vetëm një forcë që sot mbart idealet demokratike dhe qëndron e pamposhtur ndaj sulmeve të narkoshtetit, dhe kjo forcë është Partia Demokratike”.












