Ka nisur protesta e thirrur nga Partia e Lirisë në inceneratorin e Tiranës. Dhjetëra qytetarë janë mbledhur në hyrje të inceneratorit të Sharrës. Sekretari Organizativ i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari u shpreh se protesta do të jetë paqësore. Por policia ka marrë masa për shmangien e incidenteve të mundshme, duke vendosur Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë pranë vendit ku do të mbahet tubimi.
Ndërsa është pyetur nëse do ti bashkohet Berisha protestës, Ilir Meta tha se të gjithë janë të mirëpritur. “Jeni të gjithë të mirëpritur. Faleminderit që keni ardhur”, kështu tha Meta ndërsa ka mbërritur tek Inceneratori i Tiranës ku edhe po zhvillohet protesta.
Koordinatorja e Luftës Anti-Korrupsion në Partinë e Lirisë, Briseida Shehaj i bëri thirrje SPAK-ut që të hetojë në mënyrë që të vendoset drejtësia në vend.
”Më 1 nëntor të 2017 firmoset kontrata midis Arjola Kodrës dhe Klodian Zotos. Kontrata ka një aneks që trego se sa do të marrë Klodian Zoto. Deri tani Zoto nga korriku i vitit 2018 deri ën shtator të 2021 për këto shkurre ka marrë 27 mln euro. Kemi bimë, shkurre, ca zyra dhe një mensë. Ditët në vijim do t’i bëjmë të gjitha publike. E kam për atë larvën në krye të bashkisë së Tiranës, që mendon se do na kërcënojë që të heshtim, mendojnë se jemi si tregu i gjësë së gjallë që na marrin dhe shesin por ne nuk ndalemi, drejtësinë do ta kërkojmë sot, thirrje miqësore edhe për SPAK-un nesër do jetë vonë, shqiptarët do bëjnë drejtësi vetë”, tha Briseida Shehaj.