Francë – Qindra mijëra njerëz kanë vijuar të demonstrojnë në të gjithë Francën kundër planeve të Emmanuel Macron për të rritur moshën e pensionit në 64 vjeç. Nuk munguan përleshjet midis demonstruesve dhe policisë në disa qytete duke përfshirë Lion, Nante dhe Parisin.
Në kryeqytet, protestuesit i vunë flakën tendës së restorantit “La Rotonde” e njohur për organizimin e festimeve të Macron, kur ai udhëhoqi raundin e parë në zgjedhjet presidenciale të 2017-ës. Policia tha se disa qindra nga ata që i përshkroi si “elementë radikalë” ndezën kazanët dhe hodhën fishekzjarrë ndaj rojeve pranë restorantit.
Në Lyon, policia hodhi gaz lotsjellës pasi disa dyqane u plaçkitën dhe u thyen xhamat e bankave. Në Rennes, policia hodhi gaz lotsjellës dhe protestuesit hodhën shashka ndaj oficerëve.
Lëvizja 2 muaj e gjysmë e Francës kundër planeve të Macron për të rritur moshën minimale të pensionit nga 62 në 64 është kthyer në krizën më serioze politike e mandatit të tij të dytë si president.
Çdo javë, sindikatat kanë udhëhequr greva kombëtare dhe demonstrata paqësore në rrugë. Prej mesit të marsit janë shtuar përplasjet midis policisë dhe protestuesve. Teksa pjesëmarrja ka rënë paksa javët e fundit, sindikatat kanë këmbëngulur se francezët do të vazhdojnë të mobilizohen, duke kërkuar që vendimi të anulohet.
“Ne ende kërkojmë që reforma të revokohet,” – tha Laurent Berger, kreu i sindikatës centriste CFDT, për radion RTL. “Ne jemi në mes të një krize sociale, një krize demokratike” – tha ai.
Qeveria ka refuzuar të anulojë reformën e pensioneve. Të gjitha palët janë në pritje të një vendimi më 14 prill nga këshilli kushtetues i Francës, i cili po vlerëson vlefshmërinë e planeve të qeverisë.
Propozimet e Macron përfshijnë rritjen e moshës minimale të pensionit nga 62 në 64 vjec dhe përshpejtimin e rritjes së numrit të viteve të nevojshme për t’u kualifikuar për një pension të plotë. Drafti u kalua duke përdorur një urdhër ekzekutiv pasi qeveria anashkaloi qëllimisht parlamentin sepse kishte frikë se do të humbiste mbështetjen. Ky veprim zemëroi sindikatat dhe nxori më shumë protestues në rrugë. U ngritën barrikada nga studentë dhe nxënës të shkollave të mesme.