OP/ AN

Keshillin Bashkiak Vlore: Rama në Mbrojtje të Ballukut.

Nga Atird Hoxha-Kryetar i Grupit Demokrat te Keshilltareve ne Keshillin Bashkiak Vlore:
Rama në Mbrojtje të Ballukut. Presion i Hapur ndaj Gjykatave dhe Përplasje me “Drejtësinë e Re”

Kryeministri Edi Rama doli sot përsëri në një deklaratë të fortë në mbrojtje të zv/kryeministres dhe ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, duke cilësuar vendimin e GJKKO-s si “presion ndaj politikës” dhe “cenim të balancës së pushteteve”. Në të vërtetë, kjo deklaratë nuk është asgjë tjetër veçse vazhdim i mbrojtjes politike që Rama i ka bërë Ballukut që prej ditës së parë të përballjes së saj me drejtësinë.

Në përpjekje për të justifikuar një ndërhyrje të qartë politike, kryeministri u përpoq të fshihej pas autoritetit të Komisionit të Venecias dhe Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Por, asnjë citim, asnjë vendim, asnjë precedent nuk u përmend. Vetëm përdorim i emrit të këtyre institucioneve për të krijuar konfuzion dhe për të bërë presion.

Vendimi i GJKKO-s është i qartë

GJKKO ka vendosur pezullimin nga detyra dhe ndalimin e daljes jashtë vendit për numrin dy të qeverisë, e pandehur për shkeljen e barazisë në tendera në të paktën dy raste të dokumentuara.

Paniku i hapur i Ramës pas 7 orësh ngujim në godinës e kryeministrisë, u pasua nga një kërkesë urgjente në Gjykatën Kushtetuese për të zhbërë vendimin. Pikërisht për këtë arsye, Rama doli sot publikisht për t’i dërguar një “mesazh” Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se ajo “duhet t’i japë drejtim”.

Çfarë do të thotë “t’i japë drejtim”?

Presion politik. Asgjë tjetër.

Kjo shprehje është ndërhyrje e pastër dhe tentativë për të influencuar në vendim e Gjykatës Kushtetuese, në një kohë kur drejtësia po heton një nga figurat më të rëndësishme të qeverisë.

Ashtu siç kam theksuar edhe më herët, Rama është tashmë në konflikt të hapur me drejtësinë, atë drejtësi që vetë e ka përmendur për vite me radhë si suksesin kryesor të reformës. Sot, përballë hetimit të zëvendëses së tij, ky diskurs ka rënë plotësisht.

Çfarë ndodh nëse Gjykata Kushtetuese dorëzohet?

Nëse Gjykata Kushtetuese, nën presionin e Kryeministrit, merr një vendim në favor të qeverisë, atëherë rruga juridike është e qartë: SPAK dhe GJKKO, duke ndjekur logjikën e veprimeve të tyre deri më tani, do të jenë të detyruara të kërkojnë një masë më të rëndë sigurie, deri në arrest shtëpie ose arrest në burg.

Në këtë rast, për shkak të imunitetit si deputete që mban znj. Balluku, do të kërkohet miratimi paraprak i Kuvendit të Shqipërisë. Dhe pikërisht këtu Rama do të përballet publikisht me drejtësinë, për të provuar nëse e mban fjalën e propagandës së tij se “askush nuk është mbi ligjin”.

Ortakëria politike dhe përplasja institucionale

Qëndrimet e deritanishme tregojnë një ortakëri të qartë politike mes Ramës dhe Ballukut, një zinxhir mbrojtjeje që tashmë ka dalë hapur në publik. Kjo çështje nuk është më vetëm juridike, është thellësisht politike dhe prek balancën e pushteteve në vend.

Prandaj pyetja që shtrohet sot është thelbësore për të ardhmen e shtetit të së drejtës:

A do të rezistojë “Drejtësia e Re” ndaj presionit të kryeministrit, apo do të përkulet përballë tij?

Ditët dhe javët në vijim do të tregojnë nëse Reforma në Drejtësi është vërtet e pavarur, apo thjesht një fasadë që rrëzohet përballë interesave të pushtetit ekzekutiv.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button