Nga Alfred Lela
Tirana e së martës dhe të mërkurës ka qenë një qytet i nënshtruar, së bashku me banorët e saj. Është i qëllimtë mospërdorimi i termit ‘qytetar’, sepse ky i fundit shenjon, jo vetëm një lidhje me qytetin si hapësirë urbane, por edhe ‘qytetin e mendjes’.
Tirana dhe banorët e saj, të ardhur rishtas, të mbërritur në etapa të ndryshme të zhvendosjeve politike, apo autoktonët, kanë gjetur gjithmonë zemëratë për të reaguar ndaj tipologjive të ndryshme të shqiptarit ‘të huaj’. Si në tubime politike, ashtu edhe në festa të ndryshme laike apo fetare, është shpalosur njëfarë gërdie ndaj mitingashëve të pardjeshëm apo protestuesve të djeshëm. Ekskluzive kanë qenë reagimet e kryetarit të Bashkisë Veliaj, i cili nuk ka përtuar të pozicionohet superior në raport me shqiptarët e periferisë së qytetit apo të provincave të shtetit, sidomos atyre politike.
Protestat e opozitës kanë qenë gjithmonë shënjestra e parapëlqyer. Një rendje me gaz për të skicuar shtampën e një kontrasti mes tij dhe socialistëve ‘të ndriçuar’ dhe shpellarëve të ‘anës tjetër’. Sjellja e përunjur ndaj turmave të tifozerive të huaja këto ditë kanë dëshmuar se ata që i shohin bashkatdhetarët nga lart dhe të huajt nga poshtë, demonstrojnë komplekse inferioriteti.
E njëjta gjë mund të thuhet për aparatin e Policisë dhe shefat e saj, teknikë apo politikë. Një polic u plagos rëndë, sipas raportimeve mediatike, shumë të tjerë u lënduan apo u rrahën nga turmat e pakontrollueshme të holandezëve. Çka u vu re ishte një vetëpërmbajtje e pahasur më parë në këto anë. Të njëjtët policë që kanë dhunuar gazetarë, protestues, politikanë, fëmijë, gra e me radhë, pranuan të rriheshin nga ‘vikingët’. As ujë me kamionë, as gaz lotsjellës, as gjëmime me vrap apo me makina rrugëve të kryeqytetit, në skena që të kujtonin Amerikën e viteve ‘60 kur policët e bardhë ndiqnin afro-amerikanët të ngritur në protesta.
Askush kësaj radhe nuk u duk te kryet e fashuar mbi shtratin e policit të plagosur nga holandezët, për ta kthyer atë në ‘hero të ditës’. As Kryeministri, as kryetari i Bashkisë dhe as ministri i Brendshëm. Ai polic anonim nuk duhej dje, dhe as sot, për ta përdorur si plumb manovre politike për kundërshtarin.
Kjo skenë hipokrite na u kursye, por jo pezmi për sjelljen me dy standarde të qeveritarëve tanë: dishepuj të dhunës kundër të vetëve dhe të krishterë të faqes tjetër me të huajt. Të gatshëm për të mos toleruar ushtrimin e të drejtave politike të qytetarëve të tyre, por kryeulur para shfrimeve të të huajve.
Sigurisht, duhet thënë, ndeshja Roma-Feyenoord ishte një sukses. Si për sigurimin e një finaleje europiane, meritë e cila mendoj se i shkon Federatës dhe jo Qeverisë, por edhe për ngritjen e infrastrukturës së përshtatshme për të. Por në këtë pikë nuk kishim pse dyshonim: kur vjen puna te cirku kjo qeveri të than petën. Sa u takon paradigmave të mëdha të qeverisjes, mjafton fakti se borxhi publik është dyfishuar që nga koha kur e morën shtetin në dorë.
Holandezët, që urinoin në mes të ditës mbi paletat e rrethimit të Teatrit Kombëtar, mu përballë ministrisë së Brendshme, mjaftojnë për ilustrimin e menaxhmentit të Shqipërisë. Jemi nënshtetas të një pushteti që u përkulet si vasal të huajve, ndërsa të vetëve u thotë se do t’u publikojë rrogat, do ti ndjekë me patronazhistë, apo se do t’i lejojë nxënësit të bëhen studentë me mesatare 6.5. Si gazetarë e përkthyes, sigurisht.
Ai urinim publik e kolektiv, është metafora më përshkruese për pushtetarët tanë. Pse jo edhe një idé e mirë për protestat e opozitës, kurdo t’ju vijë koha. Një pshurrje kolektive për ujin, gazin lotsjellës, aktet prej të nënshtruari të shtetit të tyre dhe tiradën e skandaleve dhe vjedhjeve.