Pse sot vota e maxhorancës dhe opozitës duhet të bashkohet me qytetarët kundër shkrirjes së bashkive!

Nga Ylli Asllani
Sot Kuvendi i Shqipërisë do të marrë në shqyrtim shkrirjen e 15 bashkive shqiptare!
Si asnjëherë më parë, qytetarët po rrethojnë Parlamentin për të mbrojtur territoret e veta nga pushteti, i cili në fakt është votuar për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e tyre!
Nuk janë vetëm qytetarët në mbrojtje të territoreve të tyre shekullore, por janë edhe këshilltarët bashkiakë, të majtë e të djathtë!
Në këtë vendim të njëanshëm, qeveria ka refuzuar çdo argument dhe kërkesë të qytetarëve, edhe pse miratimi i kufijve të njësive vendore nuk mund të kryhet pa miratimin e banorëve…
Ky është një rast i veçantë, kur “familja politike” bie ndesh me interesin e komunitetit, i cili të ka zgjedhur.
Në këto rrethana, kë duhet të dëgjojë deputeti?
Partinë apo qytetarët? Kryetarin e partisë apo mandatin që i kanë dhënë zgjedhësit?
Në demokraci një deputet nuk zgjidhet për t’i qëndruar besnik një “familjeje politike”.
Ai zgjidhet për të përfaqësuar qytetarët dhe për të mbrojtur interesin publik.
Votimi për shkrirjen e 15 bashkive është një moment delikat për deputetët shqiptarë!
Para tyre qëndron dilema nëse duhet të jenë me kreun e organizatës, Edi Rama, i cili i ka vendosur në listë, apo me qytetarët, prej votës të të cilëve ata janë në Parlament!
Për një pjesë të opinionit, kjo dramë me pasoja afatgjata, krahas turpit, ka edhe shansin e madh t’u rikthejë deputetëve rolin kushtetues si mbrojtës të interesave të vendit dhe të drejtave të qytetarëve!
Ndërkoh Maji po afron dhe bashkë me të dhe zgjedhjet…
Natyrshëm lind pyetja: pse duhet t’i mërzitë 225 mijë zgjedhës?
Pse rrezikon kaq shumë Kryeministri me shkrirjen e bashkive para zgjedhjeve vendore?
Të besosh se ai është gati të sakrifikojë pushtet për të kryer reformat ë mira , kjo është absurde dhe e pamundur.
Pasi kjo dekadë provoi se reformat e Kryeministrit janë mjeti me të cilin ai centralizon gjithë pushtetin dhe, së dyti, ai para çdo fushate elektorale parafabrikon vjedhjen e zgjedhjeve të pritshme…!
Ndaj Kryeministri nuk do të dëgjojë zërin e 225 mijë banorëve dhe atë të 15 Këshillave Bashkiakë!
Ai nuk ka më nevojë t’i përmbahet Kushtetutës, Kartës Evropiane të Autonomisë Vendore dhe sidomos të dëgjojë zërin e qytetarëve.
Kjo ndodh sepse Rama e ka gjetur një mënyrë tjetër për të fituar pa meritë zgjedhjet e radhës, pa pasur shumicën reale të votuesve…!
Ky mekanizëm quhet: Gerrymandering (xherimanderi).
Ose i njohur si praktika e manipulimit të kufijve të zonave zgjedhore, me qëllim që t’i jepet një avantazh i padrejtë një partie politike, grupi apo klase të caktuar në zgjedhje.
Kështu, në vend që votuesit të zgjedhin politikanët, përmes kësaj metode politikanët zgjedhin votuesit e tyre, duke vizatuar harta zgjedhore sipas interesave të tyre.
Kryeministri ka qysh në ndarjen territoriale të vitit 2014 që po e përdor këtë manipulim elektoral!
Pseudoreforma që po servir në 2026 është finalizimi i manipulimit të filluar një dekadë më parë!
Për organizatën që ai udhëheq, në Shqipëri nuk ka rëndësi shpopullimi i frikshëm, braktisja e qytetarëve, shkatërrimi i strukturave territoriale shekullore, distancat që i bëjnë institucionet të paarritshme apo rritja e kostos së shërbimeve publike…
Për të arritur tek ky mekanizëm i rrezikshëm duhen të gjitha votat e maxhorancës…
Deputetët shqiptarë, edhe pse janë të emëruar në listat e mbyllura, kanë shansin të tregojnë integritetin e tyre moral dhe politik, si dhe të rifitojnë mbështetjen popullore!
Mendoj se rasti i shkrirjes së 15 bashkive nuk mund të jetë pasojë e përdorimit të votës së deputetëve në emër të familjes politike!
Çfarë familje mund të jetë kjo që i vendos vetes qëllime të jetë kundër interesave të qytetarëve dhe të Shqipërisë!
Koha rrjedh dhe një ditë kasta që ka kapur PS-në dhe Shqipërinë do të bjerë; bashkë me të do të bien edhe arroganca e prepotenca e pushtetit të pamerituar.
Deputetët duhet të mendojnë se vota e tyre në shkrirjen e bashkive që ata përfaqësojnë do të ngulet thellë në memorien e shqiptarëve.
Uroj që ata të priten e respektohen nga bashkëqytetarët e vet edhe kur nuk do të jenë deputetë…!
Nga gjithçka që ndodh sot, marrëdhënia me qytetarët dhe krahinat e tyre do të ngelet përjetësisht!










