Qytetarët protestojnë para ambasadave të Serbisë dhe Ukrainës: ‘Dardania e lirë’, thirrje për UÇK-në

Protesta e sotme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” pati edhe një moment të veçantë, teksa një grup qytetarësh marshoi në drejtim të ambasadave të Serbisë dhe Ukrainës.
Dy përfaqësitë diplomatike ndodhen pranë njëra-tjetrës, në rrugën që pas nisjes së luftës së Rusisë ndaj Ukrainës mori emrin “Ukraina e lirë”.
Protestuesit, duke iu referuar deklaratave të fundit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili rikonfirmoi se Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e kundërshtuan simbolikisht këtë emërtim.
Gjatë marshimit, ata e quajtën rrugën “Dardania e lirë”, duke e lidhur këtë emërtim me identitetin dhe historinë e Kosovës.
Përpara ambasadave, qytetarët brohoritën në kor në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa përcollën edhe mesazhe kundër qëndrimit të Serbisë dhe mosnjohjes së Kosovës nga Ukraina.








