Edi Rama dështoi në Kuvend të zgjidhte Ardian Dvoranin anëtar të Gjykatës Kushtetuese.
Pas një seance maratonë dy ditore, Kuvendi i Republikës nuk arriti të zgjedhë gjatë votimit anëtarin e ri të GJK. Asnjë prej kandidatëve nuk arriti të marrë 84 vota.
Në këto kushte hyn në fuqi mekanizmi zhbllokues. Me pikë renditej e para kandidatja Marjana Semini e cila si rrjedhojë bëhet anëtarja më e re e Gjykatës Kushtetuese.
Në votimin gjatë orëve të para të së premtes, deputetet e maxhorancës votuan me 58 vota Seminin, Ardian Dvorani mori 14 vota, ndërsa Arta Vorpsi 2 vota.
Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka argumentoi se sipas Kushtetutës, në momentin kur asnjë nga kandidatët nuk ka 84 votat e mjaftueshme, kandidatja e renditur e para në KE, Marjana Semini merr mandarin në Kushtetuese.
“Nisur nga neni 125 i Kushtetutës në qoftë se asnjë kandidat i përzgjedhur nga KED nuk merr 84 vota, kandidati i renditur i pari nga KED zgjidhet anëtar i Kushtetueses. Nisur nga votat e marra, asnjë nga kandidatët nuk i ka marrë 84 votat, Marjana Semini e renditur e para nga KED emërohet anëtare e Gjykaës Kushtetuese”, tha Bushka.
Gjatë votimit në sallë mungonin deputetët e Partisë Demokratike të cilët zgjodhën të bojkotonin procesin.