AKTUALITET

Rama në OKB, në fokus Bordi i Paqes dhe çështja e ish-krerëve të UÇK-së

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ndaj debatit për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes të presidentit amerikan Donald Trump, duke iu rikthyer pikëpyetjeve që shoqëruan ftesën që në fillim të vitit. Më 18 janar, Rama bëri publike letrën e Trump, përmes së cilës Shqipëria ftohej të bëhej shtet anëtar themelues i Bordit dhe palë në statutin e tij. Në letër, presidenti amerikan e paraqiste nismën si një mekanizëm për forcimin e paqes në Lindjen e Mesme dhe adresimin e konflikteve të tjera.

Debati u përqendrua më pas te mënyra e funksionimit dhe financimit të Bordit. Sipas draft-statutit të publikuar fillimisht nga Bloomberg dhe të parë edhe nga Reuters, vendet do të kishin një mandat fillestar trevjeçar. Kontributi prej të paktën 1 miliard dollarësh lidhej me mundësinë për një qëndrim përtej këtij afati dhe jo me një pagesë të detyrueshme për anëtarësimin fillestar.

Pikërisht këtë pretendim Rama e kundërshtoi edhe në reagimin e tij të fundit. Në një postim në X, ai i cilësoi “gënjeshtra” deklaratat se Shqipëria duhet të paguajë 1 miliard dollarë, se në Bord janë ftuar të gjitha vendet e OKB-së apo se pjesëmarrja e vendit lidhet me ardhjen e palestinezëve në Shqipëri.

Bordi i Paqes u ngrit fillimisht në kuadër të planit amerikan për Gazën, me Trump si kryetar dhe me synimin e deklaruar për të koordinuar çështje të sigurisë, rindërtimit dhe administrimit të territorit pas luftës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button