Qeveria shqiptare ka urdhërur mbylljen e kolegjit turk të vajzave “Mehmet Akif Ersoy”.
Vendimi u shpall sot pas mbledhjes së qeverisë dhe mban firmën e zv/kryeministres Belinda Balluku.
Në vendim, qeveria nuk thotë arsyet e urdhërimit të mbylljes së këtij institucioni arsimor cilësor që ushtron aktivitet prej 26 vitesh në vendin tonë, ndërsa ka dyshime të forta se gjithçka lidhet me një kërkesë të Presidentit të Turqisë Erdogan ndaj qeverisë shqiptare për të mbyllur të gjitha shkollat të frymëzuara nga mendimtari turk Fethullah Gylen.
Kolegji “Mehmet Akif” ka rezultuar si gjimnazi më cilësor gjatë periudhës që ka ushtruar aktivitet në Shqipëri.
Ky është vendimi i dytë kundër këtyre shkollave gjatë ditëve të fundit.
Vetëm pak ditë më parë, Ministria e Arsimit urdhëroi mbylljen e një kopshti pjesë e kolegjeve “Turgut Ozal”.
Në vendimin e këshillit të ministrave bëhet me dije se institucioni arsimor ka për detyrim të pajisë çdo nxënës me dokumentacionin e nevojshëm shkollor që do të shërbejë për transferim në një institucion tjetër dhe të kthejë pagesat e kryera nga prindërit deri në muajin shtator.
Duket se qeveria shqiptare ka filluar të zbatojë kërkesat e Erdoganit në lidhje me shkollat turke këtu, duke mbyllur ato që janë të lidhura me Gylenin dhe hapjen e rrugës ndaj shkollave pjesë të rrymave të Islamit Politik të mbështetura nga Turqia.
Në vendimin e qeverisë nuk thuhet arsyeja e këtij vendimi. Prej vitesh në vendin tonë operojnë shumë biznese të në pronësi të shtetasve turkë, pjesë e lëvizjes gylene në Turqi. Mbyllja e këtyre objekteve ka qenë vazhdimisht kusht i presidentit turk Recep Tayyip Erdogan.
VKM-ja e plotë:
1. Mbylljen e veprimtarisë së institucionit arsimor privat parauniversitar “Mehmet Akif Ersoy”, i licencuar me vendimin nr.560, datë 26.8.1996, të Këshillit të Ministrave, “Për dhënie lejeje për funksionimin e institucioneve arsimore private”, për nivelin e arsimit të mesëm të lartë, i cili e zhvillon mësimin edhe në gjuhë të huaj.
2. Institucioni arsimor privat parauniversitar “Mehmet Akif Ersoy” ka këto detyrime:
a) Të pajisë çdo nxënës me dokumentacionin e nevojshëm shkollor, që do të shërbejë për transferimin e tij në një institucion tjetër të arsimit parauniversitar;
b) Të mbulojë të gjitha shpenzimet për kryerjen e procedurave për transferimin e nxënësve, në zbatim të këtij vendimi;
c) Të kthejë pagesat e kryera (nëse ka) nga prindi/përfaqësuesi ligjor i nxënësit për pjesën e papërfunduar të shkollimit, si dhe çdo detyrim tjetër të papërmbushur që mund të ketë ndaj nxënësit;
ç) Të vërë në dispozicion të institucionit arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, çdo informacion të kërkuar deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të parashikuara në këtë vendim;
d) Të dorëzojë në Arkivin Shtetëror Vendor të gjithë dokumentacionin që disponon, si dhe të paraqesë në institucionin arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, një kopje të dokumentacionit dhe të procesverbalit të dorëzimit të tij, sipas afateve të parashikuara në legjislacionin në fuqi.
3. Institucioni arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, nën juridiksionin e të cilit ndodhet shkolla, ka për detyrë:
a) të ngrejë grup pune brenda 3 (tri) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi dhe të marrë masat për mbylljen e veprimtarisë së institucionit arsimor privat parauniversitar “Mehmet Akif Ersoy”;
b) të marrë masat për transferimin e nxënësve në institucione të tjera të arsimit parauniversitar për të gjithë nxënësit e regjistruar në këtë institucion arsimor;
c) të administrojë dokumentacionin lidhur me veprimtarinë mësimore të kryer nga ky institucion arsimor privat parauniversitar.
4. Në shkronjën “b”, të pikës 1, të vendimit nr.560, datë 26.8.1996, të Këshillit të Ministrave, “Për dhënie lejeje për funksionimin e institucioneve arsimore private”, fjalët “… kolegji “Mehmet Akif Ersoy”, i nivelit të arsimit të mesëm në qytetin e Tiranës… ”, shfuqizohet.
5. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, Drejtoria Rajonale Arsimore Parauniversitare, Durrës, Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Tiranë, institucioni arsimor privat parauniversitar “Mehmet Akif Ersoy” dhe fondacioni “Gulistan” për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”./ syri