Friday, December 6, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeAKTUALITETRaporti/ Ja qyteti me kriminalitetin më të ulët në vend

Raporti/ Ja qyteti me kriminalitetin më të ulët në vend

Sipas raportit të prokurorisë në vitin 2022, Berati ka përqindjen më të ulët të kriminalitetit për 100.000 banorë e ka qarku Berat, ndërsa përqindjen më të lartë e ka qarku Gjirokastër. Sa i përket tendencës, vërehet se rritjen më të lartë e ka qarku Shkodër me 10,64 %, ndërsa qarku Berat ka koeficient të kriminalitetit nën mesataren kombëtare, që rezulton me ulje 25,09 % krahasuar me vitin 2021.

Raporti përmbledhës vjetor “mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2022” të miratuar dhe nga Kuvendi është publikuar sot nga Prokuroria e Përgjithshme.

Janë regjistruar 262 procedime penale me 201 të pandehur dhe 169 procedime me 187 të pandehur janë dërguar për gjykim, ose krahasuar me vitin 2021 me rritje 162 % të numrit të procedimeve të regjistruara, dhe me rritje 212.9 % të numrit të procedimeve dhe rritje 114.9 % të numrit të pandehurve të dërguar për gjykim për këto vepra penale, si dhe me rritje mbi 3.7 herë (nga 19 në 91) të numrit të personave të dënuar për vepra penale kundër korrupsionit.

RAPORTI I PLOTË

RAPORTI PËRMBLEDHËS
I RAPORTIT VJETOR TË PROKURORIT TË PËRGJITHSHËM
“MBI GJENDJEN E KRIMINALITETIT PËR VITIN 2022”
Në zbatim të pikës 2 të Manualit të Monitorimit Vjetor dhe Periodik të miratuar me vendimin nr.134/2018 të Kuvendit të Shqipërisë, ju parashtroj raportin përmbledhës të Raportit Vjetor të Prokurorit të Përgjithshëm “Mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2022”, si më poshtë:
Raporti vjetor mbi gjendjen e kriminalitetit paraqitet në përmbushje të detyrimit të parashikuar nga neni 148/b shkronja “d” i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nga neni 104 i ligjit nr.97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”.
Përgjatë vitit 2022 në të gjithë nivelet e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm ka vijuar krijimi i vakancave të përkohshme dhe të përhershme deri në 42 % të prokurorëve (rivlerësimi kalimtar). Me gjithë problemet e krijuara nga këto mungesa të theksuara në organikë, prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm kanë ushtruar me përgjegjësi kompetencat bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara me ligj, kodet dhe ligjet në fushën e drejtësisë penale, rekomandimet e institucioneve kushtetuese (rekomandimet e Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave) dhe ndërkombëtare, si dhe në prioritetet e shtetit shqiptar që rrjedhin nga procesi i integrimit me Bashkimin Europian.

I. TREGUESIT KRYESORË SIPAS FAZAVE TË PROCEDIMIT PENAL

1. Treguesit e hetimeve paraprake, krime/kundravajtje, pesha dhe tendencat e tyre
– Gjatë vitit 2022, organi i prokurorisë në hetimet paraprake ka trajtuar 61114 materiale në shqyrtim, që përbën një rritje prej 0,16 % në krahasim me vitin 2021. Janë ndjekur gjithsej 48315 procedime penale, që përbëjnë një rritje prej 1,69 % në krahasim me vitin 2021, nga të cilat janë 25737 procedime penale të regjistruara, me një ulje prej 9,27 % në krahasim me vitin 2021, dhe 695 procedime penale të rifilluara, që tregon ulje prej 26,06 % në krahasim me vitin 2021. Janë mbartur 21883 procedime penale me rritje prej 20,21 % krahasuar me procedimet e mbartura në vitin 2021. Është vendosur mosfillimi i procedimit për 12799 referime dhe kallëzime penale, me ulje prej 5,21 % në krahasim me vitin 2021.
Numrin më të madh të procedimeve e ka regjistruar Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë me 33,88 % të numrit total të procedimeve të regjistruara
në shkallë vendi ose me rritje 2,57 % të këtij raporti krahasuar me vitin 2021.
-Në vitin 2022, përqindjen më të ulët të kriminalitetit për 100.000 banorë e ka qarku Berat, ndërsa përqindjen më të lartë e ka qarku Gjirokastër. Sa i përket tendencës, vërehet se rritjen më të lartë e ka qarku Shkodër me 10,64 %, ndërsa qarku Berat ka koeficient të kriminalitetit nën mesataren kombëtare, që rrezulton me ulje 25,09 % krahasuar me vitin 2021.

-Raporti i ndarjes së veprave penale (krimeve dhe kundërvajtjeve), bazuar në statistikat e vitit 2022, rezulton se 79 % e procedimeve penale i përkasin krimeve dhe 21% i përkasin kundërvajtjeve penale ose krahasuar me vitin 2021 të këtij raporti, me rritje 0,23 % e procedimeve për krime dhe ulje në procedimet për kundravajtje penale.
-Sa i përket raportit të grupveprave sipas strukturës së Kodit Penal me numrin total të procedimeve të regjistruara nga ana e prokurorisë për vitin 2022, ndër grup veprat penale me numrin më të lartë të procedimeve të regjistruara, evidentohet se -veprat penale kundër rendit dhe sigurisë publike përbëjnë numrin më të lartë të procedimeve penale të regjistruara me 29,45 % të numrit të përgjithshëm të procedimeve të regjistruara, që kanë ulje 7,53 % krahasuar me vitin 2021. Veprat penale vjedhja e pasurisë përbëjnë 26,16 % të numrit të përgjithshëm të procedimeve të regjistruara, të cilat kanë ulje 14,87 % krahasuar me vitin 2021; -veprat penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes me 6,08 %, që kanë një rritje prej 4,89 % në krahasim me vitin 2021; -veprat penale që cenojnë regjimin juridik të tokës me 5,05 %, që kanë ulje 33,62 % të numrit të procedimeve të regjistruara në krahasim me vitin 2021;
2. Ngritja e përfaqësimi i akuzës në gjykatë dhe ekzekutimi i vendimeve penale
-Gjatë vitit 2022 nga prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë është ngritur dhe përfaqësuar akuza në gjykatë në emër të shtetit për 11006 çështje (rritje prej 4,75 % në krahasim me vitin 2021) me 12958 të pandehur (rritje prej 4,90 % në krahasim me vitin 2021), të cilat përbëjnë 66.87 % të totalit të çështjeve në raport me çështjet e pushuara. Gjithashtu, janë paraqitur në gjykatë 13138 kërkesa për caktimin e masave të sigurimit personal (me ulje 9,84 % në krahasim me vitin 2021).

-Në vitin 2022 në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë është urdhëruar ekzekutimi i 9,146 vendimeve gjyqësore penale të formës së prerë (ulje 17,84 % krahasuar ne vitin 2021), janë ekzekutuar 4897 vendime penale dhe kanë mbetur pa u ekzekutuar 3806 vendime, të cilët sipas llojit të dënimeve të pa ekzekutuar janë: 6 dënime me burgim të përjetshëm, 571 vendime me burgim, 516 vendime për dënimin me gjobë, 25 dënime plotësuese dhe 2688 dënime alternative.

II.EFIÇENCA NË PËRFUNDIMIN E NDJEKJES PENALE DHE E KËRKESAVE NË GJYKATË

1. Efiçenca në hetimet hetimet paraprake dhe ndjekjen penale
-Gjatë vitit 2022 janë përfunduar 25853 çështje që përbën rritje prej 0,64 % të çështjeve të përfunduara krahasuar me vitin 2021, prej të cilave: 42,49 % janë dërguar për gjykim, 25,30 % janë pushuar, 30,03 % janë pezulluar dhe 2,18 % janë transferuar në prokuroritë kompetente.
-Janë dërguar në gjykatën e shkallës së parë 10984 çështje me akuzë ndaj 12936 të pandehurve për vepra penale sipas K.Penal dhe 22 çështje me akuzë ndaj 22 të pandehurve për vepra penale sipas K.Penal Ushtarak. Krahasuar me vitin 2021 (vetëm ato sipas Kodit Penal) rezulton me një rritje prej 4,64 % e numrit të çështjeve të dërguara në gjykatë dhe 7,38 % e numrit të të pandehurve dërguar në gjykatë. Sipas llojeve të gjykimeve të posaçme gjendja e kërkesave dhe zgjidhjeve në gjykatat paraqitet si më poshtë:

-Janë dërguar 254 kërkesa për miratim urdhri penal, me 265 të pandehur ose krahasuar me vitin 2021 me ulje 3,79 % të kërkesave dhe ulje 1,49 % të pandehurve, -Janë dërguar 265 kërkesa për miratim të marrëveshjes së fajësisë, me 268 të pandehur ose krahasuar me vitin 2021 me ulje 49,04 % numrit të kërkesave për miratim marrëveshje si dhe refuzimi i miratimit të marrëveshjes dhe pushimi i çështjes në 5 raste ose me ulje 44,44% krahasuar me vitin 2021.

-Është kërkuar gjykimi i drejtpërdrejtë për 245 çështje me 247 të pandehur, që krahasuar me vitin 2021, përbëjnë ulje prej 11,87 % të numrit të çështjeve për të cilët është kërkuar ky lloj gjykimi.
-Gjatë vitit 2022, janë dërguar në gjykatë për pushim 5440 çështje ose me rritje 16,09 % krahasuar me vitin 2021, prej të cilëve 41,91% janë pushuar për mungesë fakti. Nga të dhënat rezulton se për 140 çështje gjykata ka vendosur kthimin e akteve dhe vazhdimin e hetimeve ose me ulje 2.78 % krahasuar me vitin 2021, ndërsa për 6 çështje ka vendosur kthimin e akteve dhe urdhërimin e formulimit të akuzës, shifër e njëjtë me vitin 2021.
-Gjatë vitit 2022, gjithashtu, është vendosur pezullimi i hetimeve për 7762 procedime për shkak se autori nuk njihet apo nuk është zbuluar autori i veprës penale ose me ulje prej 12,43 % e çështjeve të pezulluara krahasuar me vitin 2021.

2. Efiçenca në kërkesat për gjykim dhe përfaqësimin e çështjes/akuzës në gjykatë

-Në lidhje me vendimet e gjykatës, nga të dhënat statistikore në vitin 2022 rezulton se janë dënuar 10546 të pandehur dhe për 217 të pandehur është dhënë vendim për deklarimin të pafajshëm që zënë 2 % të personave të dënuar ose krahasuar me vitin 2021 me rritje 14,53 % e numrit të pandehur të dënuar.

-Sipas të dhënave statistikore në vitin 2022 urdhrat e prokurorëve për ekzekutim e vendimeve penale janë: -31,09 % për dënimet me burgim, gjobë e dënime plotësuese, dhe 68,91 % për dënime alternative të dënimit me burgim.

3. Efektiviteti i ndjekjes penale për disa grupvepra penale me tendencë në rritje ose në ulje sipas shtrirjes gjeografike, në vitin 2022

-Në përmbushje të detyrave kushtetuese e ligjore dhe në kuadrin e rekomandimeve të Rezolutës së Kuvendit, rekomandimeve të BE-së për Shqipërinë dhe në zbatim të udhëzimit të përgjithshëm nr. 2/2022, dhe jo vetëm, në funksion të efektivitetit të hetimeve për veprat penale prioritare të rekomanduara, përfshirë korrupsionin, trafikimin, prodhimin apo kultivimin e narkotikëve dhe pastrimin të parave:
i) Prokurorët në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm në bashkëpunim me shërbimet e policisë gjyqësore në Policinë e Shtetit dhe agjencitë e zbatimit të ligjit, kanë rritur rolin aktiv në kryerjen e hetime proaktive dhe/ose me përdorim të mjeteve të posaçme të hetimit, në kuadrin e 573 procedimeve penale. Ky proces i ka shërbyer, si parandalimit dhe/ose ndërprerjes së mëtejshme të veprimtarisë kriminale, ashtu dhe goditjes/finalizimit me arrestimin në flagrancë apo ndalimin e 585 personave të dyshuar për kryerjen e veprave penale në kompetencë të prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm.

ii) Për veprat penale të korrupsionit në kompetencë lëndore të prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm, efektiviteti vijon dukshëm i lartë, 91,35 % e çështjeve janë dërguar për gjykim dhe 8,65 % e çështjeve janë pushuar. Referuar të dhënave statistikore për këtë grupvepra, janë regjistruar 262 procedime penale me 201 të pandehur dhe 169 procedime me 187 të pandehur janë dërguar për gjykim, ose krahasuar me vitin 2021 me rritje 162 % të numrit të procedimeve të regjistruara, dhe me rritje 212.9 % të numrit të procedimeve dhe rritje 114.9 % të numrit të pandehurve të dërguar për gjykim për këto vepra penale, si dhe me rritje mbi 3.7 herë (nga 19 në 91) të numrit të personave të dënuar për vepra penale kundër korrupsionit.

Prokurorët kanë rritur rolin aktiv në kryerjen e hetime proaktive dhe/ose me përdorim të mjeteve të posaçme të hetimit në 61 procedime penale për veprat penale të korrupsionit dhe që lidhen me detyrën ose me rritje 3.3% të numrit të këtyre procedimeve krahasuar me vitin 2021. Këto procese kanë çuar në arrestimin në flagrancë apo ndalimin e 58 personave të dyshuar për kryerjen e veprave penale në kompetencë të prokurorive me juridiksion të përgjithshëm ose krahasuar me vitin 2021 me rritje 45 % të numrit të personave të arrestuar në flagrancë apo të ndaluar për këtë grupvepra penale.

Në këtë vështrim, në zbatim dhe të udhëzimit të përgjithshëm nr. 2/2022 “Për rekomandimet prioritare të KM për luftën kundër kriminalitetit për vitin 2022”, nga 61 referime/procedime penale të transferuara nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm dhe të pranuara nga Prokuroria e Posaçme, janë regjistruar 30 procedime penale për vepra që lidhen me korrupsionin në nivele të larta ose vepra penale që lidhen me detyrën të transferuara për kompetencë dhe të pranuara nga Prokuroria e Posaçme për këtë periudhë.

iii) Për veprat penale prodhimi/shitja dhe kultivimi i narkotikëve, ndjekja penale ka rezultuar efektive, për faktin se 67,35 % e çështjeve janë dërguar gjykim, dhe 32,65 % e çështjeve janë pushuar. Në këtë grupvepra vetëm vepra penale kultivimi i narkotikëve ka tendencë të ndjeshme në ulje prej 50.8 % e numrit të procedimeve të regjistruara, ndryshe nga viti 2021 që tendenca ishte në rritje prej 10.05 %. Tendenca në ulje për këtë vepër penale i përket Prokurorisë rrethit gjyqësor Shkodër (ku janë regjistruar 12 % e numrit total), me ulje 22 %, si dhe ulje të ndjeshme kanë dhe prokuroritë Vlorë prej 62 %, e Krujë prej 52 %, analizuar kjo dhe me peshën e procedimeve të regjistruara në këto prokurori.
iv) Efektiviteti i ndjekjes penale ka vijuar i lartë lidhur me dhunën në familje, për faktin se 82.7 % e çështjeve janë dërguar për gjykim dhe 17.3 % e çështjeve janë pushuar. Ndërkohë, procedimet e regjistruara vijojnë në rritje prej 3,3 %, ndryshe nga viti 2021 që tendenca ishte më e lartë në rritje prej 12,4 %. Janë dërguar për gjykim 1093 procedime me 1182 të pandehur, ose me rritje 5,4% të procedimeve dhe 5,6 % e të pandehurve të dërguar për gjykim, në krahasim me vitin 2021.

-Lidhur me ashpërsimin e politikës penale për veprën penale “Dhuna në familje” sipas nenit 130/a i Kodit Penal, të dhënat statistikore evidentojnë se: kërkesat e prokurorit lidhur me masat e sigurimit për persona që kanë kryer këtë vepër janë të ashpra, ku 87,7 % janë për masa sigurimi me arrest dhe për 12.3 % është kërkuar caktimi i detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore. Rezulton se 61.7 % e kërkesave janë për caktimin e dënimit me burg dhe 38.3 % e kërkesave janë për caktimin e alternativave të dënimit me burg ose me rritje 5,6 % të kërkesave për caktim e llojit të dënimit me burgim, krahasuar me vitin 2021.

4. Rritja e efiçencës së bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar si dhe rritja e efektivitetit në luftën kundër pastrimit të parave, krimeve financiare, dhe kryerjen e hetimeve pasurore, përgjatë vitit 2022 ka vijuar të jetë objektiv prioritar institucional dhe në përmbushje të rekomandimeve të institucioneve kushtetuese e ndërkombëtare, ku vlerësojmë të veçojmë.

i) Në kuadrin e rekomandimit R.38 të Komisionit të Ekspertëve të KiE-së Moneyval për Shqipërinë, Prokuroria e Përgjithshme ka vijuar kontributin institucional për përmbushjen e këtij rekomandimi në bashkërendim me institucione të përfshira. Referuar Raport Progresit për Shqipërinë, publikuar në qershor 2022, Komisioni i Ekspertëve KiE, i Moneyval për rekomandimin 38 ka bërë vlerësimin se: “Në fushën e ndihmës së ndërsjellë juridike, Shqipëria ka krijuar mekanizmat e nevojshëm për ekzekutimin e urdhrave të konfiskimit të huaj, ndarjen e aseteve të konfiskuara me vendet e huaja dhe dhënien e ndihmës për konfiskimet pa dënim…”, si dhe ka arritur në përfundimin se “Në përgjithësi, Shqipëria ka adresuar të gjitha mangësitë sipas R.38, prandaj, ky rekomandim (R.38) është përmirësuar në “C/complaint”, duke u përmbushur dhe me kontributin institucional të prokurorisë.

ii) Prokuroria e Përgjithshme ka vijuar marrjen e masave administrative dhe procedurale institucionale dhe ndërinstitucionale në bashkërendim dhe koordinim me agjencitë ligjzbatuese të përfshira, në zbatimin e memorandumit të bashkëpunimit 15 korrik 2020, udhëzimit të përgjithshëm 10/2020 dhe akteve të tjera normative që mundësuan rritjen dukshëm të efiçencës së veprimtarisë institucionale nëpërmjet ngritjes dhe funksionimit të seksioneve të veçanta dhe caktimit të prokurorëve të dedikuar në luftën kundër pastrimit të parave. Rezultat i këtyre masave tre vjeçare të finalizuara në vitin 2022 është progresi në zbatimin e rezultateve immediate të planit të veprimit, ku evidentohen:

Plotësimi dhe konsolidimi i sistemit elektronik e-tracking PRESTO i menaxhimit të çështjeve të pastrimit të parave me të dhëna të përditësuara të të gjithë prokurorive, në zbatim të [rezultatit immediat (IO.7 pika 1)] të planit të veprimit, si vijon:

Prokuroria e Përgjithshme dhe Prokuroria e Posaçme (SPAK) në zbatim të ligjit dhe aktit të koordinimit ndërinstitucional, kanë vijuar bashkërendimin dhe koordinimin për një sistem raportimi unik me të dhëna statistikore të qëndrueshme dhe të besueshme periodike dhe vjetore 2020-2022, për treguesit lidhur me pastrimin e parave dhe sekuestrimin/konfiskimin e pasurive produkte kriminale nëpërmjet administrimit, shkëmbimit të informacionit, analizimit dhe raportimit të të dhënave periodike progresive në zbatim të planit të veprimit.
Këto tregues, në raport progresin e muajit maj 2022 nga grupi i ekspertëve të FATF/ICRG janë vlerësuar të adresuara gjerësisht (mbi nivelin e gjendjes “zonë gri”).

– Rritje dukshëm e efektivitetit në hetimin, ndjekjen penale, sekuestrimin e pasurive, dhe dyfishimi i akuzave të ngritura me kërkesat për gjykim për pastrimin e parave të dërguara në gjykatë, si dhe rritja dukshëm e dënimeve penale, në zbatim të rezultateve (immediate IO.7 pika 2) të planit të veprimit, si vijon:
Në vitin 2022, për veprat penale të parashikuara nga nenet 287 dhe 287/b të Kodit Penal, janë dërguar për gjykim 27 procedime me 43 të pandehur, si dhe janë dënuar 34 persona. Këto tregues evidentojnë rritje 50 % (nga 18 në 27) të numrit procedimeve dhe me rritje 30.3 % (nga 33 ne 43) e numrit të pandehurve të dërguar gjyqit krahasuar me vitin 2021, si dhe janë dënuar 34 persona (27 persona dhe 7 persona juridik), ose me rritje 61.9 % të personave të dënuar krahasuar me vitin 2021.

Në vitin 2022 vetëm për veprën penale të pastrimit të parave sipas nenin 287 të K.Penal -16 procedime me 19 të pandehur janë dërguar për gjykim, si dhe -22 persona janë dënuar. Këto tregues krahasuar me vitin 2021, kanë, rritje 60 % (nga 10 në 16) të numrit të procedimeve dhe rritje 90 % (nga 10 në 19) të numrit të pandehur të dërguara për gjykim, si dhe rritje 120 % ( nga 10 në 22) të numrit të personave të dënuar për këtë vepër penale.
Këto tregues, në raport progresin e shkurtit 2023 nga grupi i ekspertëve të FATF/ICRG janë vlerësuar të adresuara gjerësisht (mbi nivelin e gjendjes “zonë gri”).

-Rritje dukshëm e hetimeve financiare paralele ose procedime/hetime pasurore për sekuestrimin dhe konfiskimin e produkteve kriminale, sipas tipologjive me vepra penale të huaja, bazuar në rrethana fakti objektive, në zbatim të (rezultatit immediat IO.8) planit të veprimit.
Në kuadrin e hetimit dhe ushtrimit të ndjekjes penale për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” sipas nenit 287 të K.Penal dhe për vepra të tjera penale të lidhura me to, si dhe kryerjes se hetimeve financiare paralele, në zbatim te nenit 36 të Kodit Penal dhe neneve 274 dhe/ose 210, 190 e vijues të Kodit të Procedurës Penale, mbi kërkesat e prokurorëve gjykatat kanë vendosur: -konfiskime pasurie/aseteve kriminale në kuadrin e 6 çështje ose me rritje 3 herë ( nga 2 në 6) të numrit të çështje krahasuar me vitin 2021, dhe -sekuestrime pasurie/aseteve kriminale në kuadrin e 18 çështjeve ose me rritje 3 herë (nga 6 në 18 ) të numrit të çështjeve krahasuar me vitin 2021.

Në zbatim të nenit 3/1 e vijues të ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera, nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, në kuadrin e procedimeve/hetimeve pasurore paralele, mbi kërkesat e prokurorëve gjykatat kanë vendosur: -11 konfiskime pasurie/asete kriminale (nga 1 në 11) të numrit të rasteve krahasuar me vitin 2021 dhe -7 sekuestrime pasurie/asete kriminale (nga 3 në 7) të numrit të rasteve të sekuestruara krahasuar me vitin 2021.
Këto tregues, në raport progresin e shtatorit 2022 nga grupi i ekspertëve të FATF/ICRG janë vlerësuar të adresuara gjerësisht (mbi nivelin e gjendjes “zonë gri”).
-Në plenaren e FATF, në Paris, 20 shkurt 2023, Shqipëria ndër të tjera, është vlerësuar, “Shqipëria ka ndërmarrë hapa drejt përmirësimit të regjimit të saj të LPP/LFT, duke përfshirë demonstrimin e një rritje domethënëse në numrin e rasteve të regjistruara të pastrimit të parave, veçanërisht ato që rrjedhin nga vepra të huaja ku janë pastruar të ardhurat kriminale në Shqipëri. FATF ka bërë përcaktimin fillestar se Shqipëria ka përfunduar në mënyrë thelbësore planin e saj të veprimit dhe vlerëson punën e Shqipërisë për të adresuar mangësitë e saj strategjike.”

iii) Prokuroria e Përgjithshme ka vijuar ndërveprimin për rritjen e efiçencës në bashkëpunimin me autoritetet gjyqësore të huaja në fushën penale.

-Në këtë vështrim, Prokurori i Përgjithshëm në cilësinë e përfaqësuesit të autoritetit kompetent ka vijuar zbatimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit me Eurojust, nëpërmjet veprimtarisë të Prokurorit Ndërlidhës të Shqipërisë në Eurojust. Referuar raportit vjetor për vitin 2022, nga Zyra Ndërlidhëse Shqiptare në Eurojust:
 Janë regjistruar 85 çështje të reja (nga dhe kundrejt Shqipërisë) ose me rritje 63 % krahasuar me vitin 2021.
 Janë ndjekur 162 çështje aktive ose me rritje 43.3 % (nga 113 në 162) të numrit të rasteve aktive krahasuar me vitin 2021.
 Janë nënshkruar 8 marrëveshje të reja për ngritjen e Skuadrave të Përbashkëta Hetimore me autoritetet gjyqësore të huaja, si dhe ka vijuar zbatimi i 10 marrëveshjeve të Skuadrave të Përbashkëta Hetimore të ngritura në vitet paraardhëse, mbi marrëveshje të nënshkruara mes Prokurorisë së Posaçme me perfaqësues të vende anëtare të Bashkimit Evropian.
-Në nëntor 2022, u ra dakord me Eurojust për nisjen e projektit “Rritja e bashkëpunimit ndërkufitar në drejtësinë penale në Ballkanin Perëndimor” që ka për qëllim kryesor të forcojë bashkëpunimit brenda Ballkanit Perëndimor dhe midis rajonit dhe BE-së për luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, duke përdorur mjete dhe instrumente modern. Kjo do të çojë në një nivel të zgjeruar të ndërveprimit dhe integrimit mudis BE-së dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor (përfshirë Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Kosovën, Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut”, përmes krijimit të një strukture (grupe kontakti) që do të mundësojë koordinimin e hetimeve mes prokurorive të këtyre vendeve, ku kryerja e hetimeve paralele dhe ngritja e grupeve të përbashkëta të hetimit, vlerësohen si instrumentet që do të rrisin efikasitetin e punës së organeve ligjzbatuese në rajon. Tashmë Shqipëria përfaqësohet në këto grupe kontakti me dy përfaqësuesit e saj.

-Prokuroria e Përgjithshme, gjithashtu, ndërmori një hap të rëndësishëm në drejtim të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të shpejtë të informacionit me autoritet gjyqësore të vendeve evropiane dhe euro-atlantike, me nënshkrimin e dy marrëveshjeve të bashkëpunimit, siç janë:
• Me 4 korrik 2022 u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit mes Zyrës së Prokurorit Publik Evropian me seli në Luksemburg dhe Prokurorisë së Përgjithshme, e cila aktualisht po zbatohet për të lehtësohet bashkëpunimin në çështjet penale dhe shkëmbimin e informacionit për çështje konkrete sipas ligjit.

• Me 29 korrik 2022 u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Prokurorisë së Përgjithshme (PP) dhe Shoqatës Ibero-Amerikane e Prokurorëve Publikë (AIAMP), për rritjen e bashkëpunimit në luftën kundër trafiqeve të paligjshme, pastrimit të parave dhe çdo krim tjetër me interes të përbashkët si dhe për përmirësimin e kapaciteteve profesionale dhe shkencore në fushën penale sipas ligjit.

-Prokuroria e Përgjithshme është angazhuar dhe ka kontribuar në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit me Bashkimin Europian. Në kuadër të takimeve dypalësh “Screening” Shqipëri-Bashkimi Evropian, për Kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore” dhe Kapitullin 24 “Drejtësia, Liria, Siguria” (zhvilluara në Bruksel, përkatësisht në datat 8-10 nëntor dhe 24- 25 nëntor 2022), dy grupet e punës të ngritura në Prokurorinë e Përgjithshme kanë kontribuar në përgatitjen e materialeve të prezantuara prej tyre në përbërje të delegacionit shqiptar në takimet dy palëshe me delegacionin e BE-së lidhur me nivelin e përafrimit të legjislacionit shqiptar në fushën e drejtësisë penale me acquis e BE-së, politikat e ndjekura, kapacitetet institucionale për implementimin e legjislacionit të BE, fusha ku është kërkuar dhe integrimi i përshpejtuar, si dhe kontribuar edhe për përgatitjen e prezantimeve të institucioneve të tjera të përfshira.

5. Zbatimi i hartës së re gjyqësore dhe përmirësimi i infrastrukturës për rritjen e eficencës në prokurori

-Në kuadrin e hartës së re gjyqësore, Prokuroria e Përgjithshme në bashkërendim dhe koordinim me KLG, KLP dhe MD, është përfshirë, angazhuar dhe ka kontribuar si në fazën përgatitore të hartës së re gjyqësore, ashtu dhe pas miratimit të saj nëpërmjet nxjerrjes së akteve normative, ku janë parashikuar masat administrative dhe procedurale në ecurinë e procesit për zbatimin e hartës së re gjyqësore, në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë me efekte zbatimi më 1 maj 2023 dhe në prokuroritë pranë gjykatave të apeleve me efekte zbatimi më 1 shkurt 2023, si një nevojë e domosdoshme në kushtet aktuale të gjendjes së shkaktuar nga vakancat në sistemin e prokurorisë, për të mundësuar rritjen e kapaciteteve institucionale dhe profesionale në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm. Ndërkohë, vijon bashkëpunimi me KLGJ dhe MD për të mundësuar rritjen e kapaciteteve akomoduese me ambiente pune, për përmirësimin e infrastrukturës si dhe për sigurimin e aksesit të shtetasve në prokurori.

-Prokuroria e Përgjithshme ka vijuar punën në bashkërendim me Qendrën e Teknologjisë së Informacionit për Sistemin e Drejtësisë pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor për vlerësimin e kapaciteteve humane, teknologjike dhe marrjen e masave të tjera për ngritjen sa më parë të sistemit të menaxhimit të çështjeve në prokurori me standardet aktuale. Në këtë vështrim, Prokuroria e Përgjithshme është angazhuar në mbledhjen e të dhënave për sistemin e ri CAMS, draftimin e tyre për standartizimin final të termave te referencës për këtë sistem dhe integrimin e sistemit IMPRO në Prokurorinë e Përgjithshme me sistemin M-File të Ministrisë së Drejtësisë dhe me sisteme te tjera ndërvepruese, si dhe ndërlidhjen me bazat e të dhënave shtetërore, të cilët do të mundësojnë dixhitalizim të plotë të proceseve të punës së prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm. Për më tepër, mbi kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme, Kuvendi i Shqipërisë me ligji nr. 85/2022 “Për buxhetin për vitit 2023”, ka miratuar dhe akorduar 50 milion lekë, ose 408,163 Euro për Prokurorinë e Përgjithshme, si fazë e parë për investimin/ngritjen e sistemit të menaxhimit të çështjeve (CAMS), në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm dhe përfitoj nga rasti për tju falenderuar për mbështetjen institucionale.

6. Dekriminalizimi
-Prokuroria e Përgjithshme, në zbatim të ligjit nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, vendimit të Kuvendit nr.17, datë 04.03.2016, “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin nr.138/2015…” dhe udhëzimit të përgjithshëm nr.18/2020 “Për masat administrative dhe procedurale për verifikimin e të dhënave të formularit të vetëdeklarimit nga struktura e posaçme …”, përgjatë vitit 2022 ka vijuar punën intensivisht dhe ka trajtuar çdo kërkesë të përcjellë nga institucionet përgjegjëse për verifikim të thelluar të të dhënave të pasqyruara në formularët e vetëdeklarimit nga subjektet të këtij ligji.
i) Për vitin 2022 janë regjistruar 111 procese të verifikimit të plotë të të dhënave të formularëve të vetëdeklarimit të subjekteve të këtij ligji, si vijon:
– 59 (pesëdhjetë e nëntë) nga Departamenti Administratës Publike;
– 3 (tre) nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ku një kërkesë është me nismën e subjektit politik Partia Demokratike dhe një kërkesë tjetër është me nismën 1/10 e deputetëve të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike;
– 24 (njëzet e katër) nga Këshilli i Lartë Gjyqësor;
– 24 (njëzet e katër) nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi;
ii) Ndërkohë, niveli hierarkik i subjekteve sipas funksioneve publike që ushtrojnë, për të cilët është kërkuar verifikimi i thelluar sipas ligjit paraqitet si më poshtë:
– për 52 (pesëdhjetë e dy) subjekte, “Zyrtar i Lartë” ;
– për 19 (nëntëmbëdhjetë) subjekte, “Nivel Ekzekutiv”;
– për 21 (njëzet e një) subjekte, “Nivel Drejtues”;
– për 19 (tetëmbëdhjetë) subjekte, “Nivel i Mesëm Drejtues”.
iii) Nga këto kërkesa për verifikim të plotë të regjistruara më vitin 2022, rezulton se: për 76 kërkesa ka përfunduar procesi i verifikimi të thelluar, ndërsa për 35 kërkesa, procesi i verifikimit ka vijuar për vitin 2023.
iv) Nga totali i kërkesave të mësipërme të regjistruara, në vitin 2022 janë përfunduar dhe vijojnë në proces përgjatë këtij viti, sipas organeve kompetente, siç janë:
Të përfunduara Në Proces
1. Departamenti i Administratës Publike 27 32
2. Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve 0 3
3. Këshilli i Lartë Gjyqësor 24 0
4. Kuvendi 1 3
5. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi 24 0
TOTAL 76 35

Shkaku kryesor i mospërfundimit dhe vijimit edhe për vitin 2023 të të gjithë proceseve të verifikimit të të dhënave në formularët e vetëdeklarimit, vazhdon të jenë vonesa në kthimin e përgjigjeve, për informacionin e kërkuar, nga autoritetet e huaja policore dhe gjyqësore, si dhe mungesa e një regjistri të shtetasve shqiptar të dënuar jashtë vendit në zbatim të nenit 29 të ligjit nr.10193/2009 “Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale”, i ndryshuar.

Si konkluzion, referuar numrit, llojeve, shtrirjes teritoriale, intensitetit dhe formave të kriminalitetit e masave të tjera të analizuara më sipër dhe në mënyrë më të hollësishme në raport, organi i prokurorisë ka përmbushur detyrat kushtetuese e ligjore dhe ka ndjekur rekomandimet e rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë, rekomandimet prioritare të Këshillit të Ministrave, rekomandimet e BE-së dhe planin e veprimit të ICRG/FATF i i cili është përmbushur, prioritete kyçe të shtetit shqiptar në kuadër të procesit të integrimit, rritjes së efektivitetit kundër krimit ekonomik dhe krimeve të tjera, duke ndihmuar e kontribuar në forcimin e rendit dhe të sigurisë publike, duke siguruar një procedim të drejtë dhe duke garantuar liritë personale, të drejtat dhe interesat e ligjshme të shtetasve dhe subjekteve të procedimit penal.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME