Rrëfimi për vrasjen e Alban Simakut “Ishte i bandës së Aldo Bares”

Këtë të mërkurë po dëshmon për herë të parë në GJKKO i penduari i drejtësisë, Artan Tafani, i cili po zbardh disa ngjarje kriminale të dyshuara si të urdhëruara nga Laert Haxhiu, i njohur si kreu i një prej grupeve kriminale në Lushnjë.
Tafani tregon me detaje për vrasjen e Elton Mermalit, i njohur ndryshe si Alban Semaku, 38-vjeçarit i cili u ekzekutua natën e 6 tetorit 2021, ndërsa trupi i tij u gjet vetëm të nesërmen e zhdukjes, në anë të lumit Shkumbin, shumë larg qytetit të banimit, apo me gjasë edhe vendit të ekzekutimit.
Tafani tregon me detaje organizimin e vrasjes dhe gjithçka që ndodhi, si dhe arsyet që sipas tij kishte Laert Haxhiu për të vrarë Mermalin, ish-anëtarin e grupit të Aldo Bares.
Dëshmia e Artan Tafanit për vrasjen e Elton Mermalit (Alban Semakut):
“Laerti na tha që: “Do më sillni Elton Mermalin. Ka qenë i bandës së Aldo Bares. Donte ta vriste.” Gjatë kohës që ishte në Greqi, thoshte për Mermalin se ai sapo kishte dalë nga burgu dhe ishte përdorues. Nuk ishte mirë ai, bridhte rrugëve. Unë e njihja sepse e kam pasur në paraburgim atë çunin. Na tha Laerti: “Nisuni për Lushnjë, do presësh Elton Mermalin.” Na dha 300 euro, kanë qenë prerje 100-she, na i dha për rrugë”.
“Mora Lulëzimin, u nisëm për Lushnjë. Kaluam për Peqin dhe do gjenim vend për ta vrarë, poshtë urave e gjithandej. Për çdo gjë flisnim me Laertin, na thoshte ai çfarë të bënim. Lulëzimin e shkretë e mori që fëmijë, e la pa shkollë, pa familje, pa gjë. Ai foli me Lulëzimin në chat/email dhe i tha të niseshim natën të gjenim Mermalin. Na e impononte gjënë ai”.
“E kërkova unë Mermalin vërdallë, s’e gjej. Si përfundim parkoj makinën dhe e gjej përpara shtëpisë së tij. “Hajde,” i them unë këtij, “më ndiq nga mbrapa.” Marr makinën unë dhe kthehem, më ndjek ky mua. Më hipën në makinë dhe ikëm te shtëpia ime. Lulëzimi ishte te shtëpia ime, më priste. I them këtij: “Marrim Lulëzimin dhe një shokun tim dhe ikim, marrim mallin që të kam premtuar.”
“Lulëzimi u nis përpara, ne mbrapa. I thashë e kemi fshehur te ferrat. Sa mbërritëm aty, i gjuajta unë atij një plumb sapo vajtëm dhe ika me vrap. Armën ma dha Lulzim Arapi, ishte me silenciator. I gjuajti me dy plumba të tjerë dhe Lulzim Arapi. Isha 5-10 metra afër kur i gjuajti Lulëzimi. Hipëm në makinë dhe ikëm, unë isha në timon. “Merre armën,” i them unë, “dhe çmontoje.” Sa dolëm në rrugën kryesore Peqin-Elbasan, ky po i hiqte fishekët, se çfarë bëri një gabim dhe shkrepi armën, plagosi veten në këmbë te gishti. I hyri plumbi tej për tej në mish. U panikuam, u çorientuam dhe pastaj i them Laertit unë. Aty te ura e Rrogozhinës hodha silenciatorin dhe fishekët që ngelën dhe ika, se kisha këtë të plagosur në makinë. Po flisja me Laertin gjatë kësaj kohe dhe më tha: “Merr këto ilaçet për ta mjekuar.” E marr, e çoj te shtëpia dhe e mjekoj atje”.
Tafani: “Elton Mermalin donte ta vriste Laerti, sepse thoshte: “Ka marrë pjesë te vrasja e çunit të xhaxhait tim.” Ma ka shpjeguar përpara se të vritej. I pranishëm ka qenë Lulzim Arapi kur na e ka thënë këtë muhabet. Ka qenë prezent ai kur i kanë qëlluar çunit të xhaxhait. Mermali nuk ishte mirë ai, ishte si me probleme. E kam njohur në Rrogozhinë në burg, aty ishte mirë, pastaj pinte”.
“Armën e hodha në Lushnjë, karikatorin e hodha veç, silenciatorin veç, armën veç. Nuk e gjetën armën për vrasjen e Elton Mermalit. E mora Lulëzimin e çova në Tiranë pastaj dhe u ktheva në Lushnjë. Fola me Lulëzimin pastaj, më tha: “Është gjetur trupi i viktimës.” Nisa për në Durrës nga rruga që ikën për Tiranë, nga Ndroqi. Në një restorant atje ishte Bledari me Laertin, po prisnin aty, bashkë me dy çuna të tjerë. Ishin policë ata, njëri ishte inspektor në Elbasan, po hanin drekë aty. Më sugjeruan një parkim për të çuar makinën time. Erdhi Laerti me Bledarin, ishin me Range Rover Sport, tipi i fundit, dhe më morën te një qendër tregtare në Tiranë, më pas tek një lokal.
Rrinte vetëm, mbante kokën nga qielli, nuk përmendej. Mamaja e tij kishte një kafene të vogël. Elton Mermali njihej si “Kinezi”. Edhe në burg kështu njihej. Njihej dhe si Alban Semaku”.
Tafani: “Unë ndenja me Laertin pasi më kërkonte policia. Morëm shtëpi me qira në Astir, në emër të një shoqeje të të dashurës së Laertit. Pas vrasjes së Elton Mermalit kemi bërë dhe vrasjen e Albi Bashaliut”, përfundon dëshmia e Tafanit mbi vrasjen e Elton Mermalit.