Tuesday, May 28, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËRudina Hajdari - Berishës: Reflekto thellë, ka ardhur koha për ndryshim të...

Rudina Hajdari – Berishës: Reflekto thellë, ka ardhur koha për ndryshim të madh brenda PD-së

Anëtarja e Partisë Demokratike Rudina Hajdari, ka bërë një analizë që sipas saj solli humbjen e thellë të kësaj force politike në zgjedhjet vendore të 14 majit.

Përmes një video mesazhi ku shpjegon problematikat e shumta të PD-së, Hajdari thotë se është koha që humbësit të mos fshihen më pas retorikës së përdorur ndër vite, por të reflektojnë si humbës.

Ajo i referohet deklaratave të Sali Berishë për vjedhje masive të votave, dhe shton se ndoshta është koha që Berisha të reflektojë nëse duhet apo jo të vazhdojë më në këtë rrugë.

Më tej Hajdari thotë se demokratët duhet të gjejnë forcë brenda vetes për t’u bashkuar.

Kujtojmë se në zgjedhjet e 14 majit, Partia Socialiste fitoi shumicën dërrmuese të bashkive të vendit. Koalicioni “Bashkë Fitojmë” i udhëhequr nga Sali Berisha arriti të merrte vetëm 7 bashki.

Mesazhi i Rudina Hajdarit:

Rezultatet e zgjedhjeve vendore ishin një goditje shumë e fortë për opozitën në tërësi. Por ama ishin akoma një goditje më e fortë për Partinë Demokratike. Unë mendoj se ne jemi ardhur në këtë pikë si rrjedhojë e shumë faktorëve. Si fillim mendoj se dëmi i opozitës ka filluar qysh kur u mor vendimi për të bojkotuar parlamentin, më pas zgjedhjet lokale, duke i dhënë kështu Edi Ramës çdo pushtet në dorë. E duke e lënë atë për të kontrolluar të gjitha pushtetet. Mungesa e opozitës në Kuvend për vite me radhë, mungesa e opozitarizmit, krijoi një mungesë besimi dhe respekti të të gjithë qytetarëve në vend. Mungesa e përfaqësimit të tyre, aksioneve të mëdha përballë një pushteti arrogant dhe të korruptuar.

Mungesa e opozitës më pas në garën për zgjedhjet lokale, edhe në zonat ku PS nuk do të fitonte dot kurrë. Nuk do të kishin ndonjëherë shans të kalonte në anën e tyre duke lënë opozitën edhe në ato vende pa asnjë lloj përfaqësimi. Përçarja më pas, rikthimi i lidershipit të vjetër. Mungesa e figurave të reja në lidershipin e PD. Mungesa e një vizioni të mirëfilltë, bashkë me çdo faktor që përmenda më sipër, treguan qartë që PD ka marrë një goditje të rëndë në zgjedhje. Dhe pësoi humbjen më të madhe që ka pasur ndonjëherë në historinë e saj.

Ndaj sot është koha për një reflektim të madh dhe serioz. Humbësit në këtë rast duhet ta trajtojnë veten e tyre si të tillë dhe nuk mund të fshihen mbrapa retorikës së njëjtë të përdorur gjithë këto vite, e cila është bërë tejet e lodhshme për qytetarët. Duke filluar kështu që nga kryetari i PD, që duhet të respektojë statutin dhe të reflektojë thellë për humbjen e tij. Të reflektojë a duhet të vazhdojë më në këtë rrugë apo ka ardhur koha për një ndryshim të madh brenda PD-së. Unë mendoj se së pari PD duhet të bashkohet patjetër. Duhet të gjejmë forcë brenda nesh, për të kuptuar që PD gjithmonë do të ketë lidera të rinj, vizion të rinj dhe një komunikim më të ri, më të hapur dhe më të dashur me qytetarët shqiptarë. Nuk është Edi Rama njeriu i preferuar i qytetarëve shqiptarë. Jemi ne që nuk po gjejmë dot komunikimin e duhur me shqiptarët. Dhe jemi ne që duhet të ndryshojmë sa më parë në mënyrë që të mos kemi më rezultate të tilla.

Unë i kam dhënë PD-së kontributin tim pa asnjë lloj kushti. Është koha që çdo anëtar të reflektojë dhe të marrë mendime të cilat nuk burojnë nga militantizmi apo nga forca e zakonit por nga arsyeja dhe dëshira për të ndryshuar dhe fituar. Ndaj mendoj që në mënyrë që të fitojmë, së pari duhet të ndryshojmë.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME