AKTUALITET

Sanitaria filipineze grabit pasurinë e familjes shqiptare, çanta e diamante.

Një histori besimi të thyer dhe vjedhjeje në shifra rekord është zbardhur në një nga rezidencat më të shtrenjta të kryeqytetit. Një shtetase nga Filipinet, e punësuar si sanitare në kompleksin “Ambasador 3”, është kthyer në makthin e një familjeje shqiptare, duke u zhvatur pasuri që i kalojnë të 100 mijë eurot.

Burime bëjnë me dije se shtetësja e huaj kishte hyrë në Shqipëri dhe punonte në të zezë, madje ndaj saj rezultonte një vendim dëbimi nga autoritetet shqiptare. Pavarësisht statusit të saj ligjor, ajo ishte punësuar me kohë të pjesshme nga familja shqiptare, e cila jeton kryesisht jashtë vendit, por përdor apartamentin luksoz te “Ambasador 3” gjatë qëndrimeve në Tiranë.

Ajo që e bën këtë grabitje të jashtëzakonshme është lista e sendeve të vjedhura, që ngjan me një katalog luksi:

Koleksioni i çantave: Janë zhdukur dy çanta Chanel me vlerë rreth 12,000 euro, por goditja më e madhe është te marka Hermes. Njëra prej çantave kushtonte plot 46,000 euro, ndërsa një tjetër rreth 6,600 euro.

Bizhuteritë: Sanitarja ka arritur të përvetësojë një unazë me diamant 3.2 Karat (vlera rreth 15,000 euro) dhe një palë vathë me diamant 1 Karat (rreth 10,000 euro).

Përveç objekteve të luksit, autorja ka ndjekur një skemë “milimeltrike” vjedhjeje. Duke përfituar nga mungesat e shpeshta të pronarëve, ajo ka marrë vazhdimisht shuma parash që varionin nga 100 deri në 500 euro. Kjo vjedhje e shtrirë në kohë ka bërë që familjes t’i mungojnë rreth 20,000 euro cash në total.

Kjo ngjarje ka vënë në lëvizje organet kompetente, pasi përveç vjedhjes, mbetet shqetësues fakti se si një person me vendim dëbimi ka arritur të qarkullojë dhe të punësohet në zonat më të monitoruara të Tiranës pa asnjë pengesë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button