Semani rikthen alarmin. Dhjetëra hektarë tokë nën ujë, komisionet në zyra, jo në terren

Prej dy ditësh duket se prurjet e lumit Vjosë kanë nisur të bien, por gjurmët e vërshimit të fundit vazhdojnë të jenë të dukshme në shumë zona bujqësore. Në pjesë të gjera brenda argjinaturës, uji ende qëndron i bllokuar, duke krijuar një panoramë të zymtë për dhjetëra fermerë që sot numërojnë humbjet.
Banorët tregojnë se ky përmbytje ishte më e fuqishme se vitet e tjera: uji arriti deri në oborret e 21 banesave, duke krijuar frikë e pasiguri. Fatmirësisht, nuk depërtoi brenda shtëpive, por dëmet në tokat përreth janë të konsiderueshme. Rreth 40 hektarë tokë bujqësore u përmbytën plotësisht, duke zhytur nën ujë jonxhën, grurin dhe kulturat e pemtarisë.
Gjatë bisedës sonë me banorët e prekur, një tjetër problem i madh del në pah: mungesa totale e institucioneve. Ata pohojnë se deri më tani nuk ka mbërritur asnjë komision për të verifikuar dëmet. Për shumë prej tyre, kjo situatë nuk është e re — ka vite që përballen me premtime që nuk mbahen dhe dëmshpërblime që, sipas tyre, u jepen “me pikatore”.





“Të paktën dy herë kemi marrë më pak nga sa na ka takuar,” – shprehen disa prej banorëve, të cilët këtë herë nuk kanë më asnjë shpresë se do të kompensohen për humbjet që kanë pësuar. Ata kërkojnë që qeveria të lëvizë më shpejt dhe komisionet të zbresin në terren për të parë realisht dëmet.
Ndërkohë, situata me lumin Seman mbetet po aq shqetësuese. Për shkak të shkarkimeve që vijnë nga hidrocentrali i Banjës, prurjet janë rritur, dhe një pjesë e mirë e sipërfaqeve bujqësore vazhdon të jetë nën pushtetin e ujit. Banorët thonë se problemi rëndohet nga kanalet kulluese, të cilat prej vitesh nuk janë pastruar. Kjo bën që uji të ngecë në fusha dhe të mos ketë mundësi të tërhiqet në kohë.





Fermerët kërkojnë ndërhyrje emergjente jo vetëm për vlerësimin e dëmeve, por edhe për mirëmbajtjen urgjente të sistemit kullues. Sipas tyre, çdo vit përballen me të njëjtën histori: reshjet vijnë, lumenjtë fryhen dhe pasojat i mbajnë ata që jetojnë me tokën dhe punën e ndershme.
Ndërsa Vjosa dhe Semani vijojnë të rikthejnë presionin mbi zonat bujqësore të Fierit, banorët mbeten mes ujit, humbjeve dhe shpresës së vakët se këtë radhë shteti do t’u gjendet pranë — jo vetëm me fjalë, por me veprime konkrete.
Në ditët në vijim pritet që autoritetet të ofrojnë një bilanc zyrtar të dëmeve dhe një plan të qartë për dëshpërblimin e fermerëve të prekur. Por deri atëherë, banorët e zonës presin dhe vështrojnë ujërat që ende nuk janë larguar plotësisht nga tokat e tyre.









